Kërkohen 80 vota të deputetëve për mandatin e EULEX-it

Kuvendi i Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka hartuar një dokument, të cilin pritet ta procedojë në Kuvend për ratifikim, që t’i vazhdohet mandati misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit.

Dokumenti për vazhdimin e punës së EULEX-it, do të votohet së pari në Kuvend me 2/3 e deputetëve, e pastaj do t’i dërgohet presidentes, thonë zyrtarët qeveritarë.

Me këtë çështje, por edhe miratimin e disa ligjeve në prag të mbylljes së procesit të pavarësisë së mbikëqyrur, do të merren deputetët e Kuvendit pas pushimeve verore.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës në këtë sezon do të ketë punë të shumta.



Sipas tij, në seancat e para të këtij sezoni duhet të miratohen ligjet që kanë të bëjnë me përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Që në fillim Parlamenti do të marrë në shqyrtim ligjet, të cilat kanë të bëjnë me përmbylljen e pavarësisë, do t’i aprovojë ato dhe ne duhet të jemi të përgatitur për përmbylljen me sukses të këtij procesi”, deklaron Grabovci.

Por, mendim tjetër ka deputetja e Kuvendi të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo mendon se ka një sërë çështjesh me rëndësi të veçantë, të cilat me urgjencë duhet të trajtohen nga Kuvendi. Sipas Osmanit, nga aspekti procedural, puna e Kuvendit pas pushimeve duhet të vazhdojë aty ku ka mbetur.

“Në sezonin e kaluar për shkak të bojkotit nga ana e PDK-së, që iu bë Kuvendit të Kosovës, kanë mbetur disa pika pa u trajtuar dhe pa u votuar. Është e domosdoshme që para se të kalohet në çështje të tjera, qoftë mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë, apo edhe mandati i EULEX-it, duhet të përfundohen ato pika”.

“Ato kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me bordet e KPM-së dhe të RTK-së dhe këto janë me rëndësi ngase që të gjitha do të trajtohen në raportin e progresit dhe janë të rëndësishme për liberalizimin e vizave”
, thotë Osmani.

Kurse, sa u takon ligjeve që kanë të bëjnë me procesin e mbikëqyrjes së pavarësisë, Omani thotë se ato ende nuk kanë kaluar në procedurat e nevojshme të komisioneve për t’u miratuar.

“Sa i takon çështjes së pavarësisë së mbikëqyrur, ligjet ende nuk e kanë përfunduar procesin e amendamentimit të tyre në komisionin kushtetues, prandaj është e pamundur që ato të trajtohen qysh në seancën e parë të Kuvendit”, shprehet deputetja Osmani.

Kuvendi i Republikës së Kosovës gjatë sezonit pranveror ka shqyrtuar ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.

Ligjvënësit kosovarë, me shumicë votash, patën miratuar një rezolutë, me të cilën Kuvendi zotohej se do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga Pakoja e Ahtisarit, në mënyrë që mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë të përfundojë në muajin shtator.

Ndryshe, për vazhdimin e punës së EULEX-it, në vend duhet të miratohet një dokument, për të cilin Adem Grabovci, shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, thotë se do të kërkohet përkrahja e të gjithë deputeteve.

“Kjo letër besoj se do të gjejë përkrahjen e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, do të shihet dhe vlerësohet drejt nëse ka diçka që vlen të diskutohet, do të diskutohet, po gjithsesi në fund do të aprovohet në Parlament dhe do të shndërrohet si dokument dhe do ta marrë formën obliguese të zbatueshmërisë”, thekson Grabovci.

Kuvendi i Kosovës pati përfunduar sesionin pranveror me mungesë kuorumi, pasi që mungonin shumica e deputetëve të koalicionit qeverisës në interpelancën, në të cilën u kërkua dorëheqja e ministres Kusari-Lila, për vendimin lidhur me taksën për importin e çimentos.