OJQ-të kundërshtojnë projektligjin për konfiskimin e pasurisë

Ilustrim

Qeveria e Kosovës ka miratuar para dy ditësh projektligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Sipas, zyrtarëve të Qeverisë, ky projektligji parasheh kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së përfituar me vepër penale.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë , një ditë më parë pati thënë se ky ligj, pas hyrjes në fuqi, do të shërbejë si një armë shumë e mirë e gjyqësorit dhe prokurorive në vend për të luftuar krimin e organizuar.

“Është një ligj shumë funksional, i cili u përshtatet raporteve apo kritereve të BE-së dhe i përshtatet në tërësi rrethanave që i ka Kosova”, pati deklaruar Kuçi.

Ministri Kuçi qe shprehur se në projektligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale, kanë hyrë edhe 90 për qind e vërejtjeve të shoqërisë civile dhe konsiderohet ndër ligjet më funksionale për rrethanat që janë në Kosovë.



Mirëpo, përfaqësuesit e Forumit Këshillues të OJQ-ve për Pakon Ligjore Anti-korrupsion që përbëhet nga dhjetë organizata, ka sqaruar se rekomandimet që forumi ka paraqitur kohë më parë, nuk janë marrë parasysh dhe se ky projektligj është hartuar në kundërshtim me rekomandimet tyre.

Përmes një konference për media, OJQ-të kanë kontestuar projektligjin, duke thënë se si i tillë ky projektligj nëse kalon, nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fituara në mënyrë të kundërligjshme.

Arton Demhasaj, nga e Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, veç tjerash theksoi se nëse miratohet në këtë formë, projektligji do të amnistojë personat që kanë bërë pasuri milionëshe pas luftës.
Ne jemi dëshmitarë të krijimit të pasurive milionëshe nga zyrtarët e lartë publikë, po edhe nga personat që janë të ndërlidhur me ta drejtpërdrejtë.

“Ne mendojmë se komplet fryma e këtij projektligji është e adresuar gabimisht. Ne kemi nevojë për një ligj, i cili do të merret me konfiskimin e pasurisë së njerëzve, që janë në politikë ose që janë të lidhur me politikën. Ne jemi dëshmitarë të krijimit të pasurive milionëshe nga zyrtarët e lartë publikë, po edhe nga personat që janë të ndërlidhur me ta drejtpërdrejtë”, tha Demhasaj.

Edhe Besnik Ramadanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, hodhi poshtë deklaratën e ministrit Kuçi, se rekomandimet e shoqërisë civile janë marrë parasysh.

“Në dy elemente ka bërë një lloj kamuflimi, edhe te çështja e retroaktivitetet edhe te barra e provës dhe me këto dy arsyetime po arsyetohet. Këto ne i kemi konsideruar si një lloj kamuflimi apo një lloj riformulimi. Përmbajtja që ne kemi kërkuar nuk është”, u shpreh Ramadanaj.

Drejtuesit e OJQ-ve thanë se dispozitat kryesore që përmban projektligji, janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës).

Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi nxori disa rekomandime, ndër to janë:

-Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njëjtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji”;

-Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme”;

-Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare;

-Sugjerohet, po ashtu edhe krijimi i mekanizmave të veçantë brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata), me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.


Është bërë e ditur se ligji, pas miratimit nga ana e Kuvendit, do të hyjë në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm dhe nga 31 dhjetori i 1999 në mënyrë retroaktive do të shikohet pasuria e personave që kanë kryer vepra penale.

Forumi Këshillues i bëri thirrje Kuvendit të Kosovës, që të jetë i hapur dhe të pranojë rekomandime në këtë projekt-ligj, në mënyrë që të ndërtohet, siç thanë ata, një ligj që do të jetë i implementueshëm dhe i efektshëm në rregullimin e kësaj fushe, e cila së bashku me korrupsionin po e shkatërrojnë shoqërinë kosovare.