Qeveria nuk ka me kë të bisedojë në veri

Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës do ta ketë vështirë, të paktën tash për tash, që të gjejë partner te serbët në veri të Kosovës për të biseduar në funksion të normalizimit të gjendjes në këtë pjesë të vendit, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike, serbë dhe shqiptarë.

Dragisha Kërstoviq, politikan serb nga Leposaviqi, vlerëson se aktualisht nuk ka indikacione se mund të gjenden bashkëbisedues në mesin e udhëheqësve ose politikanëve serbë në veri të Kosovës, të cilët do të ishin të gatshëm të bisedonin me Qeverinë e Kosovës. Kjo situatë, sipas tij, është e tillë për shumë arsye.
...nuk dëshirojnë që të jenë dikush që do të vendoset në ‘murin e turpit’ dhe do të shpallen si tradhtarë...

“Para së gjithash, një numër i njerëzve me ndikim politik, të cilët janë me kapacitete politike që nuk mund të vihen në dyshim, nuk do të pranojnë që për këtë temë të bisedojnë fare. Një numër tjetër i njerëzve nuk do të jetë i gatshëm që t’i pranojë bisedimet lidhur me këtë temë për arsyen e thjeshtë, sepse nuk dëshirojnë që të jenë dikush që do të vendoset në ‘murin e turpit’ dhe do të shpallen si tradhtarë”.

“Do të thotë, edhe nëse eventualisht ka njerëz të tillë, ata në këtë moment, për këto arsye, nuk do të jenë të gatshëm që të hyjnë në dialog të tillë me Qeverinë e Kosovës
”, thotë Kërstoviq për Radion Evropa e Lirë.

Por, bazuar në situatën aktuale dhe rrethanat ekzistuese në veri të Kosovës, qasje krejtësisht tjetër ka Mazllum Baraliu, ekspert i çështjeve juridike dhe njohës i rrethanave politike në vend.

Sipas Baraliut, Qeveria e Kosovës fare nuk duhet të shpenzojë energjinë për të gjetur përfaqësues serbë në veri për të biseduar. Baraliu thotë për Radion Evropa e Lirë se integrimi i veriut duhet bërë bazuar në atë që ofron dokumenti i Ahtisarit dhe Kushtetuta e Kosovës.

“Biseda me qytetarë, si një dialog i zakonshëm me qytetarë që do të duhej ta bëjnë qeveritë dhe që e bëjnë zakonisht, është normale. Por, jo biseda politike dhe jo biseda për ndonjë status tjetër, për çka ekzistojnë pretendimet jashtëzakonisht rigjide dhe do të thosha të rrezikshme të Serbisë. Jo vetëm pretendimet, por edhe veprimet e saj”.

“Pra, nuk ka nevojë për një plan të veçantë, siç po pretendohet dhe trumbetohet herë pas here, por thjesht, zbatimi i Planit të Ahtisarit që është i inkorporuar në Kushtetutë edhe në atë pjesë, në ato tri komuna, sikurse në pjesët tjera”, vlerëson Baraliu.

Ndërkaq, Baraliu fajëson organizmat ndërkombëtarë, si Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Misionin Evropian për Sundimin e Ligjit, për, siç thotë ai, pengesë të fuqizimit të rendit dhe ligjit në veriun e Kosovës.

Ndryshe, Kërstoviq shpreh mendimin se Qeveria e Kosovës duhet të jetë fleksibile dhe e durueshme lidhur me çështjen e një dialogu për normalizimin e gjendjes në veri të vendit.

“Mendoj se Qeveria e Kosovës një gjë të tillë duhet ta shtyjë, ndonëse jo për kohë të gjatë dhe bisedimet e tilla t’i zhvillojë me Qeverinë e ardhshme të Republikës së Serbisë, konfiguracioni i së cilës do të jetë pak më ndryshe se sa që ishte deri më tash”.

“Ndoshta aty do të gjendet një gjuhë e përbashkët. Unë nuk jam optimist edhe për këtë, por mendoj se megjithatë do të ishte më mirë që Qeveria e Kosovës t’i zhvillojë bisedimet e tilla me Beogradin ose njëkohësisht me Beogradin dhe me serbët e veriut të Kosovës”, thekson Kërstoviq.

Por, për Baraliun, edhe në qoftë se Qeveria e Kosovës zgjedh variantin për të biseduar me politikanët serbë në veri, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për shkak se në veri nuk ka udhëheqës. Sipas tij, atje tash ekzistojnë vetëm struktura krimogjene dhe jo legjitime, me të cilat nuk mund të bisedohet.
Me ta do të mund të bisedonin dhe do të duhej biseduar për ndonjë infuzion ekonomik, për ndonjë shqetësim të tyre.

“Strukturat, me të cilat mund të bisedohet atje, nga niveli qendror i institucioneve tona dhe i Qeverisë, është ose do të ishin pikërisht pas zgjedhjeve që do të duhej të mbaheshin atje në bazë të Planit të Ahtisarit, dhe atëherë strukturat legale dhe legjitime që do të dilnin nga ato zgjedhje, do të ishin kryetarët e komunave dhe organet e atjeshme. Me ta do të mund të bisedonin dhe do të duhej biseduar për ndonjë infuzion ekonomik, për ndonjë shqetësim të tyre”, shton Baraliu.

Ndryshe, Baraliu thekson se realizimin e zgjedhjeve që do të organizoheshin nga institucionet e Kosovës në veri të vendit, e kanë për detyre mekanizmat ndërkombëtarë.

Por, sipas tij, këta mekanizma janë duke hezituar dhe një gjë e tillë krijon përshtypjen te qytetarët dhe njohësit e rrethanave politike se ekzistojnë faktorë të caktuar që nuk dëshirojnë ta stabilizojnë gjendjen në veri.