Pasojat e duhanpirjes në shëndet

Fotografi ilustruese

Studimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, flasin për shifra alarmante të shkaktarit të dytë të vdekjeve në botë - duhanpirjen.

Sipas OBSH-së, nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga pirja e duhanit, kurse çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit. Një gjë të tillë e pohojnë edhe internistët kosovarë.

Internisti Avni Kryeziu pohon se në studimet e fundit, duhani njihet si shkaktar madhor i sëmundjeve.

“Duhani është shkaktari kryesor i shumë patologjive të sotme që njihen në mjekësi. Duhani, sa i përket sëmundjeve të zemrës, tash për tash është një shkaktar madhor. Andaj mund të themi se nga hulumtimet e fundit është vërtetuar se nga 5 infarkte, 4 shkaktohen nga duhani”, pohon Kryeziu.

Ndërsa, zyrtarë të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se sipas hulumtimeve, rreth 500 mijë njerëz në vendin tonë e konsumojnë duhanin në mënyrë të rregullt.

Ndërkaq pulmologët kosovarë, thonë se pirja e duhanit shkakton edhe kancerin në mushkëri.

Mjeku Gazmend Zhuri bën të ditur se në Klinikën Pulmologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku edhe punon, rreth 50 për qind e pacientëve që kanë kancer në mushkëri, është si pasojë e pirjes së duhanit.

“Në bazë të të dhënave statistikore në Kosovë, por edhe në botë, duhani është shkaktar i shumë sëmundjeve. Unë, si pulmolog, mund të them se kanceri i mushkërive shkaktohet nga duhanpirja, qoftë ajo pasive apo aktive. Ai është shkaktar edhe i sëmundjeve tjera si bronkiti, e që në Kosovë është shumë i përhapur. Kjo sëmundje vjen nga duhani, por edhe nga ambienti i ndotur”.

“Në bazë të statistikave në klinikën ku punoj, rreth 50 për qind e patologjive është si pasojë e duhanprijes - 95 për qind e pacientëve që pinë duhan , janë me kancer të mushkërive”, bën të ditur Zhuri.

Megjithatë, Kosova ka një Ligj anti-duhan, zbatimi i të cilit mbetet problematik. Edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka marrë iniciativë për ndryshimin e ligjit që ai të ndalohet 100 për qind në hapësirat e mbyllura, ky ndryshim nuk është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Qendra për Zhvillim dhe Avokim në Kosovë( KADC), ka marrë pjesë në ndryshimin e Ligjit për duhanin.

Shkumbin Spahija, zyrtar në këtë organizatë, thotë se iniciativa për ndryshim ka ardhur si pasojë e moszbatimit të Ligjit për duhanin, në ndarjen e hapësirave prej 70 për qind pa duhan dhe 30 për qind ku lejohet pirja e duhanit.

“Kosova ka marrë iniciativë që ta ndryshojë Ligjin për duhanin, në mënyrë që ai të ndalohet 100 për qind në hapësirat e mbyllura , e jo 70 me 30 siç ka qenë. Deri tani ndryshimet në ligj janë në pajtueshmëri me udhëzimet që dalin nga Organizata Botërore e Shëndetësisë”.

“Ekspozimi ndaj tymit të duhanit rrit rrezikut ndaj shumë sëmundjeve, andaj edhe ka ardhur nevoja për ndryshim të ligjit, ku edhe ne kemi qenë pjesëmarrës”
, thotë Spahija.

Në Kosovë, rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.