Ndërlidhjet

Pirja e duhanit nëpër shkolla


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pirja e duhanit brenda objekteve shkollore, është bërë dukuri shqetësuese si për zyrtarë institucional, po ashtu edhe nga nxënësit që nuk tymosin duhan.Udhëheqës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, thonë se vetëm zbatimi 100 për qind i ligjit kundër duhanit, do të mund ta zvogëlonte numrin e duhanpirësve brenda objekteve shkollore.


Rreth 40 për qind e të rinjve në shkollë tymosin duhan. Kjo shifër vjen sipas hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare që merren me vetëdijesimin e të rinjve për pasojat e duhanit.

Ledri Thaçi, nxënës i shkollës fillore “Hasan Prishtina”, thotë se pirja e duhanit është një temë që duhet të diskutohet. Sipas tij, duhani pihet prej nga mosha 14-vjeçare apo edhe më herët.

Kjo temë i preokupon fëmijët dhe të rriturit. Duhani pihet nga fëmijët, gjë që duhet të ndalohet gjithsesi. Një nga hapat që duhet ndërmarrë është duke i paralajmëruar ata për efektet negative që shkakton duhani në trupin e tyre. Mirëpo, ata nuk e dinë se efektet mund të shfaqen pas disa vjetësh. Mënyra më e mirë për ta parandaluar dhe për t’i informuar ata se sa dëme sjell, është edhe duke ju treguar se duhanpirja shkakton sëmundjet e mushkërive, astmës, goditjet në tru, e shumë të tjera”, shprehet Thaçi.

Zanjeta Halimi, nga organizata joqeveritare “Rrjeti i edukatorëve bashkëmoshatarë”, që merret me promovimin e sjelljeve të shëndosha përmes të rinjve nga të rinjtë, thotë se pirja e duhanit konsiderohet si sjellje e rrezikshme, sidomos nga nxënësit, duke e marrë parasysh që 5.4 milionë njerëz në vit vdesin prej duhanit. Andaj, sipas Halimit, me kampanja të ndryshme mundohen që t'i vetëdijesojnë nxënësit për pasojat e duhanit.

Kemi filluar me këtë strategji, sepse të rinjtë zakonisht i kanë model edhe shokët e tyre, që i imitojnë dhe e bëjnë një sjellje të rrezikshme. Një prej sjelljeve të rrezikshme kohëve të fundit është edhe pirja e duhanit. Mundohemi t'i mësojmë për pasojat negative, se çka mund të bëheni nëse jeni duhanpirës aktivë dhe të bëjmë kampanja të ndryshme, qoftë përmes kampanjave mediale, apo broshurave, ku tregojmë se duhani dëmton shëndetin”, thotë Halimi.

Zyrtarë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë thonë se tymosja e duhanit është e dëmshme për secilin, por te të rinjtë dëmet janë më të mëdha.

Skënder Syla, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se mënyra e vetme e shmangies së pirjes së duhanit nga të rinjtë brenda objekteve shkollore, është zbatimi 100 për qind i Ligjit kundër duhanit.

Te ne fatkeqësisht tymoset duhani nëpër shkolla, qoftë nëpër hapësira të ndara brenda shkollave. Kjo ndodh edhe nga arsimtarët, por edhe nga vetë nxënësit. Andaj ne, si OBSH, rekomandojmë fuqimisht që Ligji për duhanin të zbatohet 100 për qind në mënyrë, që të mos ketë asnjë hapësirë brenda objektit shkollor ku pihet duhani”, thekson Syla.

E, shefi i Inspektoratit Sanitar të Kosovës, Ibrahim Tërshnjaku, thotë se Inspektorati Sanitar, së bashku me Inspektoratin e Arsimit, kanë bërë një aksion të përbashkët për t'u dhënë një urdhëresë me shkrim gjitha drejtorive në mënyrë që të ndalohet duhani brenda objekteve shkollore.

Pas kësaj urdhërese, kemi parë një hap pozitiv në këtë aspekt. Ne, tash, do të bëjmë një riinspektim nëpër objektet shkollore dhe do të shohim se cilat drejtori të shkollave kanë lejuar kolegët e tyre të pinë duhan brenda objekteve shkollore. Aty do të shohim se si do ta vetëdijësojmë edhe këtë strukturë të shoqërisë”, tregon Tërshnjaku.

Sipas të dhënave nga hulumtimet e bëra nga organizata joqeveritare, në shkollat e mesme pihet duhani më shumë - nga vetë mësimdhënësit, por edhe nga nxënësit.
XS
SM
MD
LG