Serbia shuan apo riformon strukturat në veri?

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Lejimi i zgjedhjeve të pjesshme lokale serbe në territorin e Kosovës dhe mbajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, nënkupton pajtimin me vazhdimin e status quo-së, sidomos në veri, vlerësojnë analistët politikë.

Ndërsa, deputetë të partisë në pushtet dhe ata të opozitës ndajnë mendime të ndryshme në lidhje me efektet e zgjedhjeve të fundit serbe brenda territorit të Kosovës.

Profesori në Fakultetin Juridik, Qerim Qerimi, thotë për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet e fundit me zgjedhjet serbe, sidomos në veri, janë tregues i vazhdimësisë së gjendjes ekzistuese të status quo-së.
...s’mund të thuhet që këto zgjedhje paraqesin ndonjë ndryshim nga proceset e deritanishme dhe mënyra e funksionimit të jetës lokale atje.

“Praktikisht, me sa shihet, kjo paraqet vazhdim të status quo-së dhe s’mund të thuhet që këto zgjedhje paraqesin ndonjë ndryshim nga proceset e deritanishme dhe mënyra e funksionimit të jetës lokale atje (në veri)”, thotë Qerimi.

Në anën tjetër, për deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Xhelili, distancimi i Serbisë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ishte tregues që ky vend nuk do t’i mbështesë më tutje këto struktura, të cilat për institucionet e Kosovës janë ilegale dhe të papranueshme.

Deputeti Xhelilit thotë se përkrahja e Beogradit për pushtetet paralele në tri komunat veriore dhe në Mitrovicë, tash e tutje mund të jetë shumë më e vogël.

“Elementët që kanë vepruar në mënyrë destruktive në atë pjesë, do ta kenë një porosi të qartë se përkrahjen e Serbisë më tutje nuk do ta kenë, ose ajo përkrahje do të jetë shumë më e vogël dhe më e pafavorshme për ta”.

“Porosia është e qartë dhe do t’ju mundësohet segmenteve të sigurisë tonë dhe atyre të EULEX-it që të veprojnë dhe të jenë më konkretë, fillimisht në drejtim të goditjes së strukturave të krimit të organizuar”
, shprehet Xhelili.

Interesi i popullatës serbe në veri dallon nga interesi i strukturave ilegale, nënvizon deputeti Fatmir Xhelili, i cili është edhe anëtar i Komisionit Parlamentar për Siguri.

Kështu që, sipas tij, organet e rendit dhe drejtësisë, tash duhet të veprojnë me goditjen e krimit dhe kontrabanduesve, ku pjesëmarrës janë, si serbët, ashtu edhe shqiptarët.

“Strukturat e Kosovës fillimisht do të nisin me goditjen e kontrabanduesve, të cilët janë, ta quajmë kushtimisht, jugor. Dihet botërisht që ka edhe shqiptarë të involvuar, sepse pa qenë edhe shqiptarët pjesëmarrës, participues në atë organizim, faktikisht kriminelët serbë e të tjerë, nuk do të kishin kë ta financojnë”.

“Kështu që, fillimisht strukturat tona duhet të fillojnë të godasin në pjesën jugore dhe kjo do t’i mundësojë EULEX-it që t’i godasë më lehtë strukturat në pjesën veriore”, thekson Xhelili.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, nuk mendon se Serbia po heq dorë nga mbështetja e strukturave në veri.

Serbia, vetëm e ka ndryshuar taktikën e veprimit, thotë Ramadani, duke përmendur faktin se Beogradi po paralajmëron një plan për formimin e një këshilli ekzekutiv serb në veri, si hap i parë drejt realizimit të tendencave serbe për autonomi atje.

“Efekti kryesor negativ është plani i paralajmëruar që serbët në veri të kenë një lloj këshilli ekzekutiv ose një lloj qeverie të veriut të Kosovës”.

“Këto janë efekte negative jashtëzakonisht të mëdha, për shkak se në një rast të tillë, Qeveria e Kosovës realisht po pranon një autoritet tjetër autonom të serbëve të veriut në mënyrë që të futet me ta në bisedime për të zgjidhur aspektin politik të problemit të veriut”
, vlerëson Ramadani.

Deputeti Burim Ramadani thotë, po ashtu, se me lansimin e planit të ri serb për veriun, Beogradi synon që t’i imponojë strukturat paralele në veri, qofshin ato edhe struktura tjera të emëruara përmes një këshilli ekzekutiv, si palë, krahas qeverisë së Serbisë dhe asaj të Kosovës, në bisedimet e ardhshme që mund të organizohen për veriun.

Vetë organizimi i zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës, siç ndodhi me zgjedhjet e fundit përmes misionit të OSBE-së, sipas Ramadanit, ishte një gabim i Qeverisë, pasi që me këso hapash fillon legjitimimin e strukturave paralele.
Beogradi ka ndërruar taktikën dhe përmes zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale ka premtuar dhe realisht po formon një elitë të re politike atje...

“Beogradi ka ndërruar taktikën dhe përmes zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale ka premtuar dhe realisht po formon një elitë të re politike atje, në mënyrë që atyre më pas t’u japë fuqinë që të jenë pjesë e bisedimeve me Kosovën, duke e pasur përkrah Beogradin”, potencon Ramadani.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, presioni ndërkombëtar bëri që kësaj radhe Serbia të mbajë vetëm zgjedhjet parlamentare, përmes OSBE-së në Kosovë, kurse ato lokale, të mbajtura në Zveçan e Zubin Potok, i organizuan vetë strukturat paralele serbe, pa mbështetjen publike të Beogradit.

Sidoqoftë, me apo pa këtë mbështetje, strukturat paralele, sidomos në veri të Kosovës, vazhdojnë të funksionojnë siç kanë funksionuar edhe para procesit zgjedhor të 6 majit.