Ndërlidhjet

Veriu “strehë” për kriminelët


Flamuri i Serbisë...
Flamuri i Serbisë...

A është shndërruar veriu i Kosovës në një oazë të strehimit të kriminelëve? Kjo është pyetja në të cilën politikanë dhe mekanizma të sigurisë japin përgjigje të ndryshme për disa vjet me radhë.

Ish-komandanti i forcës paqeruajtëse të KFOR-it, Erhard Byhler pati deklaruar se në veri ka grupe kriminale, por megjithatë ai pati ftuar qeverinë në Prishtinë që të gjejë zgjidhje politike.

Po ashtu, edhe kryeministri Hashim Thaçi, në shumë raste ka deklaruar se veriu është shndërruar në oazë të krimit, por ai dhe qeveria që drejton janë treguar të pafuqishëm që të bëjnë gjë për ndryshimin e këtij realiteti atje.

Komunat paralele në veri, kanë edhe organet e tyre, që funksionojnë në bazë të ligjeve të Serbisë.

E ashtuquajtura “mbrojtja civile”, vepron në kuadër të këtyre komunave paralele.

Emri i kësaj strukture është lakuar në disa raste se qëndron prapa incidenteve e tensioneve në veri.

Por, Marko Jakshiq, një nga liderët e serbëve të atjeshëm thotë se “mbrojtja civile” nuk ka të bëjë me asnjë veprim, sipas tij të paligjshëm.

Jo, ata merren kryesisht me çështje dhe punë komunale dhe për atë punë edhe paguhen”, thotë Jakshiq.

Se në veri ka individë dhe struktura të kërkuara për vepra të ndryshme kriminale, është i mendimit një politikan tjetër serb, Ranxhel Nojkiq.

Ai thotë se veriu po bëhet strehë e sigurt për kriminelët si nga Serbia ashtu edhe për ata nga Kosova. Sipas tij, këto grupe janë të ndërlidhura edhe me politikën.

Unë i kuptoj disa nga policët, flas për ata të Policisë së Kosovës, të cilët nuk guxojnë tu kundërvihen këtyre qarqeve kriminale në veri, ngase në këtë rast ata do t’i nënshtroheshin mëshirës së tyre”, thotë Nojkiq.

Ekzistimin e grupeve kriminale në veri nuk e mohon as kryetari paralel i Mitrovicës, Krstimir Pantiq.

Por, ai mendon se fshehja në veri nuk është aq e sigurt, pasi që sipas tij, Ministria e Brendshme e Serbisë bashkëpunon shumë ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in në atë pjesë.

Të gjitha këto grupe kriminale që ekzistojnë në veri të Kosovës kanë lidhje me individë në Beograd, qofshin ata nga partitë politike apo nga biznesi”, thotë Pantiq.

Misioni i EULEX-it dhe Policia e Kosovës, si prioritete kanë hetimet që do të zbardhnin vrasjen e policit Enver Zymberi dhe së fundit, vrasjen e qytetarit Selver Haradinaj, në banesën e tij.

Por, sipas përfaqësuesve të serbëve të veriut, edhe organet serbe në anën tjetër, janë në hetime për kriminelë të kërkuar për vepra të ndryshme në Serbi, e që dyshohet të jenë fshehur në pjesën veriore të Kosovës, ku ka mungesë të sundimit të rendit dhe ligjit, çka nga këta individë e grupe shfrytëzohet për strehim por edhe për aktivitete të paligjshme.
XS
SM
MD
LG