Ndërlidhjet

Veriu mbetet në “status quo”


Veriu i Kosovës...
Veriu i Kosovës...
Relaksimi i situatës në veri të Kosovës dhe arritja e pajtimit në mes të palës kosovare dhe asaj serbe për menaxhimin e pikëkalimeve kufitare, janë hapa pozitivë në përmirësimin e raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por nuk sinjalizojnë domosdoshmërish zgjidhjen e problemit të veriut, thonë analistët rajonalë e ndërkombëtarë.

Në prag të takimit të Këshillit Evropian, të dyja vendet presin “shpërblimet” për kompromiset e bëra në javët e muajt të kaluar në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Mirëpo, publicisti britanik, Tim Judah, i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësisht rezultatit të takimit të së premtes, problemi rreth veriut do të mbetet i ngrirë, sipas të gjitha gjasave, madje për disa dekada.

...strukturat paralele do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe se serbët e veriut nuk duan të jenë pjesë e Kosovës.
Edhe nëse të dyja palët marrin atë që duan ose nëse janë në drejtim të arritjes së asaj që duan, nuk do të zgjidhet çështja e veriut- apo jo?! Fakt është që strukturat paralele do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe se serbët e veriut nuk duan të jenë pjesë e Kosovës”, tha Judah.

Përpjekjet e para operacionale të Prishtinës zyrtare për shtrirjen e autoritetit shtetëror në pjesën veriore u bënë më 25 korrik, përmes një aksioni policor.

Veprimi erdhi pak kohë para zhvillimit të raundit të shtatë të dialogut Kosovë-Serbi, ndërsa çoi në ndërprerjen e përkohshme të procesit dhe vënien e barrikadave në zonat veriore nga serbët protestues.

Raundi i tetë i dialogut rezultoi me caktimin e kohës për zbatimin e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes dhe me një marrëveshje të re, menaxhimin e pikëkalimeve kufitare.

Për të gjitha marrëveshjet e arritura që nga marsi i këtij viti, kur dhe nisi dialogu, Serbia shpreson të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës iu premtua nisja e dialogut për liberalizimin e vizave.

Zgjidhja e problemit të veriut të Kosovës, sipas analistit Dushan Janjiq, duhet të shfrytëzohet nga Brukseli si kushtëzim për dhënien e statusit të kandidatit për shtetin serb.
Dushan Janjiq
Dushan Janjiq

Mendoj se tani ka ardhur koha që institucionet e Bashkimit Evropian të mbështesin dhe të përgatisin dialogun në prapaskenë për disa vendime, veçanërisht rreth integrimit të veriut të Kosovës në sistemin legal të Kosovës apo rreth ndonjë lloj autonomie. Disa flasin për një lloj ‘Ahtisaari plus’, por nuk ka lidhje nën çfarë kushte do të bëhet kjo. Ka ardhur koha të diskutohet se si do të menaxhohet kjo pjesë”, u shpreh Janjiq.

Të kundërtën e pohon Judah, me vlerësimin se nuk ka ndonjë qëndrim të qartë e të përbashkët të BE-së karshi Kosovës, e aq më pak karshi problemit të veriut.

Ajo mbi të cilën mund të pajtohet Brukseli është se duhet të ketë, de facto, marrëdhënie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe se këto dy palë të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore. Por, kur bëhet fjalë për diçka më shumë se kjo, nuk mendoj se ka ndonjë qëndrim të Brukselit me që nuk ka ndonjë qëndrim të unifikuar për Kosovën në mesin e 27 vendeve anëtare”, theksoi ai.

Pavarësisht rezultateve që mund të sjellë vazhdimi eventual i dialogut Prishtinë – Beograd, efektet e deritashme të tij thuhet se janë parë më shumë në procesin e integrimit evropian e të dyja palëve, se sa në normalizimin e raporteve ndërmjet tyre dhe gjendjes në veri të Kosovës.

Ciklet e ardhshme zgjedhore në të dyja vendet vlerësohet të jenë një pengesë tjetër e mundshme në trajtimin e këtij problemi apo në vullnetin politik për ta adresuar këtë çështje.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG