Thirrje për unitet karshi Mitrovicës

Protesta "Stop terrorizmit", e mbajtur në Prishtinë,24 prill 2012.

Me moton “Stop terrorizmit”, grupe qytetarësh u mblodhën të martën në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë, për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik në Kosovë për gjendjen “e rëndë” në veri të Mitrovicës dhe për të protestuar lidhur me “neglizhencën” e autoriteteve vendore e ndërkombëtare karshi këtij problemi.

Organizatorët e protestës thanë se është momenti i fundit për veprim të përbashkët të këtyre mekanizmave me qëllim përmirësimin e situatës në veri të vendit, e cila, siç thanë ata, ka mbetur peng i veprimeve të strukturave paralele serbe.

Njëri nga anëtarët e këshillit organizativ të protestës, Zef Shala, foli para mediave për qëllimin e protestës.

“Mendojmë se është momenti i fundit që të gjitha institucionet tona vendore të bashkohen me të gjitha institucionet ndërkombëtare: me KFOR-in, me UNMIK-un, me EULEX-in, me Shërbimin Policor të Kosovës, me Forcën e Sigurisë - të gjitha institucionet të bëhen bashkë dhe t’i thonë ‘Stop terrorizmit’. Ne po mendojmë që problemet t’i zgjidhim në mënyrë paqësore, ashtu siç kemi ditur t’i zgjidhim në vitet ’90, kur ka qenë dhe më vështirë se tash”, u shpreh Shala.

Protesta vjen më shumë se dy javë pas një sulmi me mjet shpërthyes në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, si pasojë e të cilit ishte vrarë në banesën e tij, Selver Haradinaj, ndërsa ishin plagosur disa persona të tjerë.

Dritarja e banesës së familjes Haradinaj, ku ishte vendosur eksplozivi...

Një pjesë e qytetarëve të Mitrovicës, që morën pjesë në protestë, folën për problemet, me të cilat ballafaqohen banorët e pjesës veriore të qytetit.

“Kriminelët janë duke e sulmuar ende popullatën shqiptare dhe ne kemi ardhur për të apeluar për arrestimin e kriminelëve”, tha Adem Sejdiu.

Në mesin e protestuesve ishin edhe qytetarë të vendeve të tjera të Kosovës. Ramize Gashi theksoi nevojën për solidaritet me mitrovicasit.

“Jam nga Lipjani, por do ta mbrojmë edhe Mitrovicën, pse jo?! Kemi vuajtur dhe vetë dhe kemi mbetur qe 12 vjet në luftë”, tha ajo.

Dhjetë ditë pas sulmit në lagjen “Tre Rrokaqiejt”, Kuvendi i Kosovës kishte mbajtur një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar situatën në pjesën veriore të vendit.

Seanca disaorëshe, e karakterizuar nga shkëmbimi i akuzave ndërmjet Qeverisë dhe partive opozitare, kishte përfunduar pa ndonjë rezultat konkret.

Anëtari tjetër i këshillit organizativ të protestës, Shemsi Reçica, shprehu bindjen se problemi i veriut po u shërben si mjet politik të gjitha partive të përfaqësuara në legjislativin e vendit.

“Kur njërës prej partive opozitare i mbushet mendja që të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit, pjesa tjetër thotë: ‘Jo, se është herët’. Pastaj, deputetët e partisë tjetër e thërrasin Kuvendin e jashtëzakonshëm, ndërsa këta të parët tash thonë: ‘Jo se tash është vonë’. Një pjesë e Kuvendit thotë se ‘nuk duhet ta mbajmë Kuvendin pa qenë këtu kryeministri’, por kur vjen kryeministri po kjo pjesë e liron sallën e Kuvendit”, theksoi Reçica.

Nexhmedin Spahiu, po ashtu anëtar i këshillit organizativ të protestës, tha se përveç mungesës së unitetit të institucioneve, mungon uniteti edhe te qytetarët e vendit kur bëhet fjalë për situatën në veri të Mitrovicës.
Numri jo shumë i madh i të pjesëmarrësve të protestës, sipas tij, reflekton këtë mungesë uniteti.

“Një protestë e tillë në Kosovë meriton që t’i ketë 100 apo 200 mijë protestues. Është një tubim i ndërgjegjes që tregon ndërgjegjen tonë. Aq sa jemi, aq është ndërgjegjja e shoqërisë sonë”, potencoi Spahiu.

Veriu i Kosovës është i banuar kryesisht me pjesëtarë të komunitetit serb, por në zonat më afër urës kryesore mbi lumin Ibër dhe në disa fshatra në veri jetojnë edhe familje të përkatësisë etnike shqiptare e boshnjake.

Veriu i Mitrovicës, që nga paslufta, vazhdon të jetë në qendër të tensioneve etnike për shkak të, siç thuhet, veprimeve të strukturave paralele serbe dhe grupeve kriminale.

Pas incidenteve të fundit atje, misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë ka shtuar praninë e tij, ndërsa të njëjtën gjë thuhet se është i gatshëm ta bëjë dhe misioni ushtarak i NATO-s.