Ndërlidhjet

Seanca për veriun - pa rezultat


Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)
Ndonëse nisi me paralajmërimin për hartimin e rekomandimeve rreth hapave të mëtejmë që duhet të ndërmerren në veri të Mitrovicës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës që temë kryesore pati këtë çështje, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.

Pas më shumë se katër orësh të diskutimeve që u karakterizuan me akuza të ndërsjella ndërmjet Qeverisë dhe partive opozitare, ligjvënësit kosovarë nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për veprimet e ardhshme që duhet të bëhen për shtensionimin e situatës në veri të vendit.

Braktisja për një kohë e seancës nga kryeministri Hashim Thaçi, pasoi me braktisjen e diskutimit nga pjesa më e madhe e deputeteve të opozitës.
I kthyer në sallën e Kuvendit, Thaçi e quajti kompleks problemin e veriut të Kosovës për zgjidhjen e të cilit, sipas tij, është i nevojshëm një dialog i brendshëm me banorët e asaj pjese.

Kreu i ekzekutivit kosovar hodhi poshtë mundësinë e përdorimit të forcës për shtrirjen e autoritetit në veri, meqë, siç tha ai, Kosova nuk do të ndjekë politikën nënshtruese të dhunës që ka përdorur Serbia në Ballkan.

“Unë, si kryeministër, nuk e kam ndërmend që ta adaptoj politikën e njëjtë, të papërgjegjshme, që përdor Serbia kundër Kosovës dhe nuk mund të autorizoj përdorimin e forcës dhe dhunës për të nënshtruar një pjesë të caktuar të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb që jetojnë në veri të Kosovës për shkak se ata për momentin, për shkak të arsyeve të njohura, nuk i njohin dhe respektojnë institucionet legjitime të Kosovës”, tha Thaçi, duke i bërë thirrje opozitës që, siç u shpreh ai, vrasjen e banorit të lagjes “Tre Rrokaqiejt” në veri të Mitrovicës, Selver Haradinaj, mos e përdorin për vota apo pikë politike.

Opozita, ndërkaq, e quajti joserioz debatin mbi gjendjen në veri të Kosovës siç e cilësoi joserioze dhe të paefektshme qasjen e deritashme të Qeverisë së vendit ndaj këtij problemi.

Pjesëmarrja e disa ministrave të kabinetit qeveritar Thaçi në diskutimet e së mërkurës, sipas nënkryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, është bërë me qëllim degradimin e diskutimeve.

“Këtu kemi fjalë të çuditshme që absolutisht nuk ndërlidhen me programet dhe me investimet e tyre në një pjesë të territorit të Kosovës dhe nuk bëhet pa qëllim-natyrisht, sepse debati duhet të shkojë deri në absurd sa t’u merret hapësira edhe deputetëve që të mos kenë mundësi ose të heqin dorë nga fjalët e tyre. Çka i flet ti një Qeverie, e cila nuk i obligohet Parlamentit-përkundrazi, vazhdimisht del se Qeveria e dirigjon Parlamentin”, tha Isufi.

Në seancën e fundit të legjislativit kosovar Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje kishte protestuar në shenjë pakënaqësie me pjesën tjetër të përbërjes së Kuvendit që nuk u pajtua të thirret seanca e jashtëzakonshme për të diskutuar për gjendjen dhe zhvillimet në Mitrovicë. Disa nga deputetët e kësaj partie kishin bllokuar foltoren e Kuvendit me një pankartë ku ishin të shënuar emrat e Selver Haradinajt, i vrarë më 8 prill, dhe policit Enver Zymberi, po ashtu i vrarë në pjesën veriore gjatë aksionit policor të 25 korrikut për marrjen e pikave doganore atje.

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se paralajmërimi i mëhershëm i Qeverisë për mundësinë e përsëritjes së aksionit të 25 korrikut paraqet, siç u shpreh ai, dështimin e ndërhyrjes e jo ndërhyrjen si të tillë.

Kurti tha se është zbehur besimi në Qeveri, ndërsa kërkoi dorëheqjen e saj.

“Gjëja më e mirë që mund të bëjë kjo Qeveri është të japë dorëheqje, e jo të intervenojë në veri. Aktiviteti i kësaj Qeverie është bërë edhe më i dëmshëm sesa pasiviteti i saj”, u shpreh Kurti.

Anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërkaq, theksuan rëndësinë për veprime urgjente të institucioneve në vendosjen e rendit dhe të ligjit në pjesën veriore të vendit.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme u kërkuan veprime edhe lidhur me arrestimet e qytetarëve kosovarë nga autoritetet serbe; u fol për pengesat që Beogradi zyrtar po bën për shtrirjen e autoritetit vendor në veri të Kosovës, ndërsa mekanizmave ndërkombëtarë iu kërkua mbështetja në parandalimin e vizitave që zyrtarët serbë i kanë bërë asaj pjese në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 6 majit të shtetit serb.
XS
SM
MD
LG