Çfarë po ndodh me “Grand Hotelin”?

Grand Hoteli

Agjencia Kosovare e Privatizimit pritet që deri në fund të këtij muaji të vendosë se çfarë do të bëjë me ndërmarrjen publike “Grand Hotel”, ndërmarrje kjo e cila ishte privatizuar në vitin 2006.

Hoteli Grand ishte privatizuar me një çmim prej rreth 8 milionë eurosh, me zotimin se për dy vjet do të investoheshin rreth 20 milionë euro, si dhe do të punësoheshin
mbi 400 punëtorë.

Por, problemet filluan më pas, meqë blerësi nuk kishte arritur që t’i përmbushte zotimet për investime e punësim dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit kishte vendosur që t’ia marrë aksionet blerësit të Hotelit Grand.

Ekzekutimi i këtij vendimi ishte shtyrë disa herë radhazi pasi që nga dokumentacioni i pranuar nga blerësi, komisioni i themeluar për privatizimin e ndërmarrjeve me spin-off special kishte konstatuar se ekziston vullneti i mirë i blerësit që t’i përmbushë zotimet e marra.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, thotë për Radion Evropa e Lirë se AKP-ja konsideron se duke pasur parasysh premtimet që i kishte dhënë blerësi se do të bëjë investimet e parapara, bordi i drejtorëve të AKP-së i është përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese të Komisionit. Si rrjedhojë, afati për ekzekutim të vendimit për kthim të aksioneve të Hotelit Grand, ishte shtyrë.

“Bordi i drejtorëve më parë ka marrë vendim që të bëjë tërheqjen e aksioneve nga ‘Grand Hotel’ dhe ndërmarrjet tjera që janë privatizuar me spin-off special dhe të kthehen në agjenci këto ndërmarrje, pasi që ishte konstatuar se ka pasur shkelje të mëdha të zotimeve. Vendimi për këtë do të merret në mbledhjen e ardhshme që do të jetë më 26 prill të këtij viti”, thekson Kaloshi.

Hoteli Grand ishte ndërtuar në vitin 1978 dhe në vitet ‘70 njihej si një nga hotelet më të mëdha në ish-Jugosllavi. “Grand Hotel”, përbëhet nga afërsisht 32.000 metra katrorë. Privatizimi i kësaj ndërmarrjeje publike u bë me metodën spin-off special, që nënkupton mosndërrimin e veprimtarisë. Ndërkaq, blerësi i këtij hoteli ishte Zylqif Berisha.

Si pronar i vetëm ishte Zylqif Berisha, derisa më vonë dolën si pretendentë për 60 për qind të aksioneve në hotel përfaqësuesi i “Eurokohës”, Remzi Ejupi, dhe ai i “Mabetexit”, Behgjet Pacolli.
Zylqif Berisha, pronar i Hotel Grand-it, thotë se tani presin që vendim i AKP-së të jetë në favor të tij, pasi që tani kanë arritur marrëveshje me kompaninë “Mabetex” që të kryhen zotimet që janë dhënë në kohën kur është bërë privatizimit i kësaj ndërmarrjeje.

Berisha shprehet i bindur se i gjithë dokumentacioni, të cilin e ka dorëzuar në AKP, është në rregull.

“Garantues jemi dy persona ‘Mabetex’ dhe firma jonë ‘Unio commerc’ jemi bashkë edhe në ‘Grand Hotel’ edhe në ‘Hotel Iliria’. Kemi bërë marrëveshje, jemi garantues të përbashkët - garantimi është i sigurt dhe çdo gjë është e kryer. Ne kemi një marrëveshje, ata janë aksionarë në ‘Grand Hotel’ dhe unë jam aksionar në ‘Hotel Iliria’- kemi bërë ndryshime jemi pronarë ”, thekson Berisha.

Por, se çfarë mund të ndodhë në rast se bordi i AKP-së do të vendosë për tërheqjen e aksioneve të “Grand Hotelit”, zëdhënësi Kaloshi sqaron:

“Në rastet kur bordi i drejtorëve vendos për tërheqjen e aksioneve të një ndërmarrjeje, atëherë dihet se mjetet e blerjes nuk kthehen, ndërsa ndërmarrja përfshihet në procesin e ritenderimit”.

Sidoqoftë, ekspertët e çështjeve ekonomike vazhdimisht janë shprehur skeptik sa i përket mundësisë për ritenderim.

Ndryshe, që nga viti 2005, kur ka ndodhur privatizimi i parë me metodën e spinoff-it special, e deri më tani, janë shitur 24 ndërmarrje.