Disa nga ndërmarrjet shoqërore, të cilat janë privatizuar me metodën e spin off-it special, nuk kanë arritur t’i përmbushin obligimet e zotuara gjatë blerjes së tyre. Procedura e spin off-it special nënkupton mosndryshimin e veprimtarisë së ndërmarrjeve. Kështu thonë zyrtarë dhe përfaqësues të bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Haxhi Arifi, anëtar i bordit të AKP-së, thotë se që nga viti 2005, kur edhe ka ndodhur privatizimi i parë me këtë metodë, e deri më tani, janë shitur gjithsejtë 24 ndërmarrje, por, sipas tij, shumica prej tyre nuk i kanë përmbushur zotimet për investime dhe punësim.
Për këtë, shton ai, këto ndërmarrje rrezikojnë t’i nënshtrohen sërish procesit të privatizimit.
“Janë shumë ndërmarrje në këtë drejtim. Në listë është Kosova-texi, NBI Suhareka, Ballkani - Suharekë , dy minierat - Strezovc dhe ajo e Goleshit, mandej fabrika e duhanit në Gjilan, Hoteli Grand. Ka edhe të tjera, por këtu më duket se është duke vepruar auditimi i jashtëm”, thotë Arifi.
Edhe Arta Gosalci, zëdhënëse në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, pohon se disa prej ndërmarrjeve të privatizuara me spin off special kanë arritur t’i përmbushin obligimet, ndërsa një numër prej tyre ende po përpiqen në këtë drejtim.
Gosalci nuk jep ndonjë hollësi rreth numrit të ndërmarrjeve që mund të ritenderohen. Sipas saj, pasi që të shteren të gjitha mundësitë e parapara me kontratë për zgjidhjen e këtyre mangësive dhe shkeljeve të kontratës nga mospërmbushja e zotimeve, bordi merr vendim se si të veprohet në vazhdim.
Megjithatë, Gosalci thekson se gjatë këtij viti planifikohet të ritenderohet fabrika Llamkos nga Vushtrria, e cila është e destinuar për përpunimin e llamarinës.
“Dihet se këtë vit planifikohet ritenderimi i Llamkosit, si njëra nga ndërmarrjet e privatizuara me spin off special, me ç’rast AKP-ja ka tërhequr aksionet e shitura, si rezultat i mospërmbushjes së zotimeve nga blerësi”, thotë Gosalci.
Ndryshe, Haxhi Arifi, i cili njëherësh është edhe udhëheqës i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), thotë se është pritur falimentimi i ndërmarrjeve të privatizuara përmes procedurës së spin off-it special.
Arifi konsideron se kjo metodë e privatizimit ka qenë e gabuar që nga fillimi i procesit dhe nëse nuk ndërmerren hapa për përmirësim të procesit, BSPK-ja, sipas tij, do të kërkojë që të ndërpritet komplet privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore.
“Në parim, metodën se si është duke ndodhur, ne e kemi kundërshtuar gjithmonë. Kjo që është duke ndodhur në Kosovë, është një dështim. Andaj, nga ne, si BSPK, nëse nuk ndërmerret diçka, që të përmirësohet në këtë drejtim, do të ketë edhe kërkesë të stopimit të privatizimit”, thotë Arifi.
Në anën tjetër, edhe ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se procesi i privatizimit ka filluar me shumë mangësi. Berim Ramosaj, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, konsideron se dështimi i kompanive të privatizuara do të ndikojë edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.
“Ne kemi menduar se me procesin e privatizimit, ne e këndellim ekonominë, në kuptimin edhe të kapaciteteve të reja, ose të mbajtjes së kapaciteteve ekzistuese. Kemi pasur raste të disa investimeve, që kryesisht investimet e mëdha janë nga investitorët e brendshëm, që, në mungesë të kapitalit të vet, kanë marrë kredi me kushte shumë të rënda”.
“Kështu, ata, në momentin e blerjes, i kanë pasur mjetet, mirëpo në procesin e financimit, ata kanë pasur probleme të mëdha financiare”, thotë Ramosaj.
Në anën tjetër, Haxhi Arifi thotë se me përfundimin e auditimit, bordi i drejtorëve i ka liruar katër ndërmarrje, duke përfshirë Ferronikelin, Birrarinë e Pejës, Banjën e Kllokotit dhe Fabrikën e Tullave, pasi që thuhet të jetë konstatuar përmbushja e kushteve të marrëveshjes për zotime.