Distancohen KFOR-i e EULEX-i

Forcat paqeruajtëse në Kosovë...

Vlerësimet në dhënien apo mosdhënien e lejes për hyrjen e zyrtarëve të Serbisë në territorin e Kosovës, bazuar në mandatin e misionit, bëhen vetëm për kalimin përmes pikave kufitare 1 dhe 31 në veri të Kosovës, thanë përfaqësues të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit.

Ata ritheksuan se një kërkesë për vizitë zyrtare duhet të bëhet në zyrën e përfaqësuesit special të BE-së në Beograd për t’u proceduar më pas në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në përcjelljen e konvojve serbë, autoriteteve vendore u asiston EULEX-i.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, tha se parandalimi i hyrjes së kujtdo nga Serbia përmes rrugëve alternative në veri, nuk hyn në kuadër të detyrave të EULEX-it.

“Sa u përket rrugëve anësore që nuk janë pikë-kalime zyrtare, ne nuk kemi persona që merren këto kalime jozyrtare”, tha Krasniqi.

Komenti i tij vjen pas qëndrimit në veri të Kosovës të ish-kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica - vizitë që pasoi me akuzat për “moskryerjen e detyrave” drejtuar KFOR-it dhe misionit evropian për sundimin e ligjit nga përfaqësuesit e Qeverisë, të cilët thanë se mekanizmat në fjalë e kanë “fuqinë dhe mandatin” për parandalimin e vizitave të tilla.


Në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet serbe të 6 majit në veri të Mitrovicës kishin qëndruar - pa leje zyrtare, edhe krerët e Partisë Përparimtare Serbe.

Vizitat e politikanëve serbë në pjesën veriore të vendit, sipas autoriteteve kosovare, po i kontribuojnë përkeqësimit të situatës tashmë të tensionuar në atë zonë.

Të mërkurën, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës thanë se mbyllja e të gjitha rrugëve alternative të vijës së gjelbër të kufirit ndërmjet Kosovës e Serbisë është “obligim i KFOR-it”.

Mirëpo, në misionin e NATO-s në vend thanë se nuk janë në dijeni rreth ndonjë kërkese të institucioneve kosovare për bllokimin e rrugëve alternative në veri të Mitrovicës.

Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i nuk kryen procedura policore apo doganore.

“KFOR-i po e monitoron në tërësi vijën administrative kufitare - kjo është e saktë, por KFOR-i nuk është i mandatar të zbatojë çfarëdo procedurash apo punësh policore e doganore. Roli ynë është të përqendrohemi në sigurimin e një ambienti të qetë e të sigurt në tërë Kosovën”, u shpreh Novicki.

Ekzistimi i një ambienti të sigurt në veri të Kosovës është vënë në pikëpyetje pas incidenteve të fundit në atë pjesë të vendit, si pasojë e të cilave vdiq një shqiptar, ndërsa u plagosën disa persona të tjerë.