Sektori privat, me probleme

Ilustrim

Sektori privat në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të ndryshme, të cilat po ndikojnë në zhvillimin e veprimtarive. Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ekspertë të ekonomisë dhe afaristë kosovarë, thonë se problemet e këtij sektori paraqiten që nga hapja e një biznesi të ri.

Tahir Maloku, pronar i kompanisë ndërtimore “Fitorja”, tregon se problemet kryesore në zhvillimin e aktivitetit të tij, paraqiten te furnizimi jostabil me energji elektrike dhe prania e ekonomisë joformale në tregun kosovar.

“Problemi numër një, si qytetar dhe si çdo firmë e Kosovës, është mungesa e rrymës. Këto janë telashet më të mëdha. E dyta, ka probleme me njerëzit që punojnë ‘në të zezën’ dhe nuk kanë asnjë obligim, asnjë përgjegjësi, kurse paraqiten konkurrentë në treg’’, thotë Maloku.

Por, eksperti i ekonomisë, Ibrahim Rexhepi, thotë se në bazë të raporteve të Bankës Botërore, problemet e sektorit privat shfaqen që nga nisja e biznesit. Ai përmend problemet ligjore, burokracinë dhe investimet e shumta që kërkohen për hapjen e biznesit.

“...e dyta është aspekti i ligjeve të sektorit fiskal. Ta zëmë secili biznes fillimisht ngarkohet me të gjitha obligimet fiskale, duke filluar që nga TVSH-ja për pajisjet e importuara për investimet që bën dhe kjo është ngarkesë e madhe. E treta, nuk ka asnjë lehtësi për fillimin e biznesit, qoftë për shfrytëzimin e infrastrukturës, tokave apo ndonjë pushim tatimor në vitet e para të fillimit të biznesit, siç shkon në disa vende të rajonit”, pohon Rexhepi.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, theksojnë se ekzekutivi ka krijuar disa politika të reja për sektorin privat, por që këto politika deri më tani nuk kanë treguar efekte drejtpërdrejt në tregun kosovar.

Ezgan Muzbeg, nga Oda Tregtare Turke në Kosovë, konsideron se sektori privat në vend është në rritje, por kjo rritje nuk është e mjaftueshme për një ekonomi të qëndrueshme. Sipas tij, sektorit privat i nevojiten politika ekonomike që stimulojnë prodhimtarinë.

Kur flasim për stimulimet, mund të theksojmë edhe problemet, me të cilat ballafaqohet sektori privat. Problemet bazike mund të ndahen në dy pjesë: Pjesa e parë është e lidhur me mungesën e politikave ekonomike të Qeverisë së Kosovës, si për shembull mungesa nga lirimi i përkohshëm për të ardhurat dhe mënyrat tjera të përkrahjes”.

“Problemi tjetër i sektorit privat është legjislacioni i grumbulluar dhe ngecja e mekanizmave për zbatimin e saj. Mund të theksohet edhe ngadalësia në procedurat juridike dhe gjyqësore”,
thekson Muzbeg.

E, përfaqësues të Qeverisë, vazhdimisht kanë potencuar përpjekjet për mbështetjen e sektorit privat në vend.