Diagnostikimi i hershëm i kancerit te fëmijët

Ilustrim

Numri i fëmijëve të prekur me kancer është në rritje, thonë profesionistë shëndetësorë. Sipas tyre, derisa në vitin 2008 kanë qenë të diagnostikuar 7 fëmijë, në vitin 2011 janë diagnostikuar 58 fëmijë të prekur me kancer. Ndërkaq, familjarët e këtyre fëmijëve thonë se ballafaqohen me vështirësi shumë të mëdha.

Ilir Gorani, drejtor i organizatës “Ndihmë fëmijëve me kancer”, njëherësh prind, i cili ka humbur fëmijën e tij 6 vjeçar nga kanceri, thotë për Radion Evropa e Lirë se si organizatë, rëndësi të veçantë i kanë dhënë diagnostikimit të hershëm. Ai tregon se tashmë kanë filluar fushatën sensibilizuese për diagnostikim të hershëm.

“Jemi duke përgatitur një videoklip të shkurtër, ku do të bëhet sensibilizimi i shoqërisë së gjerë. Gjithashtu, kolegët tanë nga Austria kanë përgatitur dokumentar për kthimin e të shëruarve nga kanceri në shoqëri. Nga ana profesionale, do t’i ndihmojmë me anë të një uork-shopi, Klinikën e Pediatrisë, ku do të prezantohen mundësitë e laboratorit për diagnostikim të hershëm të leukemisë. Ky laborator është blerë nga shoqata, me anë të ndihmës me donacione”, tregon Gorani.

Ndërkaq, familjarët e fëmijëve të prekur me kancer, thonë se shoqata “Ndihmë fëmijëve me kancer”, u ndihmon shumë në çdo aspekt. Valbona Rraci, familjare e fëmijës së sëmurë me kancer, shpjegon:

“Nipi im është sëmurë para dy vjetësh dhe deri atëherë unë nuk kam pasur njohuri se ekziston një shoqatë e tillë dhe një aktivitet aq intensiv që e bën shumë më të lehtë për fëmijët, por edhe për prindërit dhe familjarët. Edhe unë i përkas një familjeje që ka fëmijën e sëmurë nga leukemia. Paralelisht (shoqata) ndihmon Repartin Pediatrik Onkologjik, që ta kryejë punën e vet".

Sipas Rracit, meqenëse kjo shoqatë përbëhet prej vetë prindërve dhe familjarëve të të prekurve me kancer, me vetiniciativë mundohen që të ketë sa më shumë aktivitetete për vetëdijesimin e sëmundjes.

“Meqë në shoqatë janë prindërit dhe familjarët e fëmijëve, ne të gjithë e kemi dëshirën dhe obligimin që ta rrisim numrin e aktiviteteve dhe sa më shumë t’iu ndihmojmë familjarëve dhe prindërve me fëmijë të prekur me këtë sëmundje”, shprehet Rraci.

Ndërkaq, sa i përket institucioneve, Gorani thotë se përkrahja nuk është në nivelin e duhur:

“Çfarëdo kërkese nga ana jonë drejtuar institucioneve, po has në vështirësi. P.sh një prej problemeve është edhe vakuumi i moszgjedhjes së drejtorëve nëpër klinikat e QKUK-së, sepse ata nuk marrin përgjegjësi për t’i përcjellë ankesat dhe kërkesat deri te Ministria”.

Por, fëmijët e prekur me kancer, nuk mund të presin, sepse sëmundja avancon shumë shpejt. Prindërit po detyrohen të shkojnë në kompani të ndryshme të kërkojnë donacione, sepse kostoja e trajtimit të kësaj sëmundjeje është shumë e lartë, dhe nuk mund t’i përballojnë vetë familjarët. Andaj, atyre u duhet ndihma, si e shoqërisë, ashtu edhe e institucioneve në veçanti.

Ndërkaq, Bardhyl Abrashi, pediatër në Klinikën e Pediatrisë -Onkologjisë, flet për vështirësitë, me të cilat po ballafaqohet kjo klinikë, e që problemin kryesor, sipas tij, e kanë diagnostikimin e hershëm.

“Vështirësitë kryesore janë ato rreth diagnostikimit të hershëm, sepse sa më herët që të diagnostikohet, atëherë aq më i madh është suksesi i shërimit, ose i mbijetesës. Ne i masim mbijetesën 1 vjet deri në 5 vjet dhe atëherë themi se e kemi shëruar një rast. Kur na vijnë rastet që ne i shohim në shikim të parë si të sëmurë, ato janë raste fatkeqësisht të vonuara, edhe pse mund të them se ne po kemi sukses edhe me ato raste”, thekson Abrashi për Radion Evropa e Lirë.

Kurse sipas Goranit, ankesat dhe sfidat e prindërve, të cilët kanë fëmijë të prekur me kancer, drejtuar organizatës, janë të shumta. Ai pohon se në Klinikën e Pediatrisë mungojnë edhe citostatikët nga lista esenciale, siç janë Asparaginaza, Aksinomicina, Ciklofosfamidi.

E, familjarëve të fëmijëve u mbetet që barnat e listës esenciale, të cilat mungojnë t’i sigurojnë vetë. Mirëpo, ato shpesh nuk mund të gjenden nëpëe barnatore se janë shumë specifike - ato nuk mund të blihen, sepse me to furnizohen vetëm institucionet shëndetësore.