Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në mënyra të ndryshme, janë përpjekur të pengojnë hyrjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, i cili po qëndron në Kosovës për të marrë pjesë në liturgjinë fetare për festën e Krishtlindjeve ortodokse.
Aktivistët e Vetëvendosjes në orët e pasdites kanë bllokuar rrugën që çon në drejtim të Manastirit të Deçanit, duke tentuar ta pengojë eskortën, por policia ka ndërhyrë për të parandaluar një gjë të tillë.
Dardan Molliqaj, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, i tha Radios Evropa e Lirë, se më shumë se 20 aktivistë të këtij subjekti kanë marrë lëndime dhe kanë kërkuar ndihmën e parë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Deçan.
“Policia e në Deçan, pas intervenimit që ka bërë, i ka lënduar mbi 20 veta, të cilët kanë marrë ndihmën e parë në ambulancëne qytetit. Dy prej tyre janë arrestuar. Falë angazhimit të shtuar dhe me kujdes të Policisë së Kosovës që vjen si rezultat i vendimit të Qeverisë së Kosovës, kanë mundësuar që zoti Tadiq të shkojë në Manastirin e Deçanit. Megjithatë, eskorta e presidenti Tadiq është sulmuar me gurë”, tha Molliqaj.
Lëvizja Vetëvendosje bëri të ditur se gjatë ditës janë arrestuar 14 aktivistë të saj në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe Deçan.
Molliqaj tha për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e arrestimit të aktivistëve ndodhi në magjistralen Prishtinë- Podujevë, derisa ata po udhëtonin në drejtim të vendkalimit kufitar në Merdar, me qëllim të pengimit të hyrjes në Kosovë të presidentit serb, Boris Tadiq.
“Lëvizja Vetëvendosje, përmes aktivistëve, është munduar që t’ia bllokojë ardhjen presidentit Tadiq në Kosovë - gjë që nuk po e bën Qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj për shkak se duan ta ruajnë pushtetin dhe jo shtetin”, u shpreh Molliqaj.
Kurse, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se policia në magjistralen Prishtinë - Podujevë ka ndaluar një furgon me 30 goma të vjetra të automjeteve dhe ka arrestuar disa persona.
“Në paraditen e sotme keni ndaluar tetë persona të përfshirë në dy automjete, të cilët kanë qenë në magjistralen Prishtinë - Podujevë dhe pas intervenimit dhe verifikimit, të njëjtit janë liruar. Ndërsa në orët e pasdites, Policia e Kosovës ka ndaluar edhe katër persona të tjerë, të cilët kanë tentuat të pengojnë delegacionin për të lëvizur nga Prishtina në drejtim të Pejës. Delegacioni ka vazhduar rrugën në drejtim të lokacionit të paraparë”, njoftoi Kelani.
Molliqaj nga Lëvizja Vetëvendosje shpjegoi se disa nga aktivistët e arrestuar janë ende duke u mbajtur në stacionet policore.
“Gjatë ditës janë arrestuar gjithsej14 aktivistë, 7 nga ta janë ende duke u mbajtur, kurse për tre prej tyre është dhënë një vendim për paraburgim prej 48 orësh”, tha Molliqaj.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, tha se në Pejë rreth orës 14:00 është mbajtur një protestë kundër qëndrimit të Tadiqit në Kosovë, e cila ka kaluar pa incidente.
“Protesta në Pejë nuk ka qenë e paralajmëruar, ajo në mënyrë spontane është mbajtur dhe në të kanë marrë pjesë përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë të Vetëvendosjes”, bëri të ditur Kelmendi.
Presidenti serb, Boris Tadiq, dhe delegacioni i tij tashmë ka arritur në Manastirin e Deçanit. Për sigurinë dhe transportin e presidentit serb, Tadiq, si edhe ambasadorëve të Rusisë dhe Bjellorusisë në Beograd, po përkujdesen KFOR-i dhe EULEX-i.
Tadiq dhe delegacioni që ai kryeson, pritet të qëndrojnë të premten dhe të shtunën paradite në Patrikanën e Pejës, ku do të marrin pjesë në liturgjinë fetare për festën e Krishtlindjeve ortodokse.
http://www.youtube.com/embed/A9UcxsN49x4