Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje bëjnë të ditur se gjashtë aktivistë të saj janë arrestuar në magjistralen Prishtinë-Podujevë.
Dardan Molliqaj tha për radion Evropa e Lirë se aktivistët janë arrestuar deri sa po udhëtonin në drejtim të vendkalimit kufitar Merdare me qëllim të pengimit të hyrjes në Kosovës të presidenti serb Boris Tadiq.
Molliqaj deklaroi se aktivistët kanë pasur për qellim bllokimin e rrugës në momentin e ardhjes se eskortës së presidenti serb.
Ai tha po ashtu se të arrestuar po mbahen në njërin nga stacionet policore në Prishtinë.
Kurse zëdhënësi i Policisë së Kosovës Baki Kelani tha se policia në magjistralen Prishtinë- Podujeve ka ndaluar një furgon me 30 goma të vjetra të automjeteve dhe ka arrestuar deri tash tetë persona.
“Ne të njëjtën magjistrale janë arrestuar edhe dy persona të tjerë, po ashtu edhe ata janë në procedurat e verifikimit, pra po flas për magjistralen Prishtinë - Podujeve që në total janë 8 persona në proceduar të verifikimit”, deklaroi Kelani.
Zëdhënësi i policisë bëri të ditur po ashtu se në rajoni e Pejës ka lëvizje të qytetareve për tu përgatitur siç tha ai për ndonjë tubim.
Sido që te jetët edhe pse përfaqësuesit e Policisë së Kosovës do të kujdesen për sigurinë dhe përcjelljen e delegacionit nga Serbia, deri me tash nuk kanë mundur të konfirmojnë nëse Tadiq ka arritur në Kosovës.
Për sigurinë dhe transportin e presidentit serb Tadiq si edhe ambasadorëve të Rusisë dhe Bjellorusisë në Beograd, pritet që të përkujdesen KFOR-i dhe EULEX-i.
Transporti i tyre për në Deçan besohet se do të bëhet me helikopterë.
Tadiq dhe delegacioni që ai kryeson pritet të qëndrojnë sonte dhe nesër paradite në Manastirin Visoki të Deçanit ku do të marrin pjesë në liturgjinë fetare për festën e Krishtlindjeve ortodokse. (a.k.)
(Jo) politikisht për festën ortodokse
Edona Peci
Autoritetet kosovare konfirmuan ardhjen e presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, në Kosovë.
Ato thanë se përmes zyrave ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd e Prishtinë, kanë marrë kërkesën e kreut të shtetit serb për ta vizituar Kosovën, por theksuan se vizita ka për qëllim kryesor kremtimin e Krishtlindjeve ortodokse serbe.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, theksoi se kërkesa për vizitë e Tadiqit dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë në Deçan ka karakter fetar.
“Ka një kërkesë të tillë dhe unë besoj se kërkesa është mbi bazën e vizitës religjioze në Manastirin e Deçanit dhe besoj se këtu do të kemi qasje pozitive për një trajtim të tillë”, u shpreh Kuçi.
Edhe në vitin e kaluar Tadiq kishte realizuar një vizitë të tillë në Kosovë, që ishte përcjellë me një varg paqartësish lidhur me deklarimet politike, të cilat, bazuar në kërkesën për vizitë dhe miratimin e saj, nuk do të duhej të bëheshin.
I pyetur nga gazetarët për mundësinë e mosrespektimit të “rregullave” të vizitës, Kuçi, tha:
“Është një prej kërkesave tona që ai ta trajtojë këtë vizitë si religjioze, ta trajtojë si vizitë të karakterit jopolitik. Ne e dimë që ai mund të bëjë shkarje-tejkalim, por megjithatë kemi garanca ndërkombëtare për një mesazh të tillë që i është dërguar drejtpërdrejt edhe atij”.
Mirëpo, njohësit e rrethanave politike e quajnë naive dhe të paqëndrueshme kërkesën e institucioneve kosovare duke thënë se vizita do të bartë me vete pasoja politike.
Analisti Behlul Beqaj tha se ardhja e Tadiqit në Kosovë, megjithatë, nuk mund të vlerësohet negativisht meqë, sipas tij, i kontribuon kontakteve ndërmjet Kosovës e Serbisë.
“Por, duke u nisur prapë nga mënyra se si po komunikohet deri më tani, megjithatë më duket se është më mirë që po vjen Tadiqi, sesa po të vinte Tomisllav Nikoliqi apo Koshtunica”, vlerësoi Beqaj.
Presidenti Tadiq pritet të qëndrojë në Deçan më 6 dhe 7 janar.
Edhe Aleksandër Popov nga Qendra Rajonale në Beograd tha se vizita ka dimensionin e saj politik, meqë vjen në prag të vazhdimit të dialogut Prishtinë-Beograd, por ndërlidhet edhe me statusin e ardhshëm të veriut të Kosovës.
Popov tha se vizita i shërben gjithashtu fushatës elektorale të Tadiqit për zgjedhjet serbe që do të mbahen këtë pranverë.
Kjo mund të shihet edhe nga aspekti i zgjedhjeve të ardhshme, pasi që në këtë mënyrë mund të fitohen pikë nga një pjesë e trupit elektoral...
Meqë Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, vizitat e deritashme të zyrtarëve serbë në vend janë realizuar pas miratimit të zyrave të BE-së në të dyja vendet.
Për sigurinë e burrështetasve serbë zakonisht përkujdeset Policia e Kosovës dhe ajo e misionit evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Pavarësisht pretendimeve që këto vizita të kenë qëllim fetar, në të kaluarën nuk kanë munguar deklarimet për çështje politike, të cilat politikanët serbë i patën bërë në Kosovë.