Ende pa vendim për regjistrimin në veri

Mitrovicë

Ndonëse i paraparë për gjithë territorin e Kosovës, regjistrimi i popullsisë nuk është zhvilluar në veri të vendit. Ai ishte kundërshtuar nga serbët lokalë, të cilët kërkonin nga Qeveria e Beogradit ose administrata e OKB-së ta realizonte procesin në fjalë.

Pavarësisht thirrjeve të tyre, autoritetet kosovare shfaqin shpresën se regjistrimi së shpejti do të ndodhë edhe në veri.

Kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, i pohon përpjekjet që po bëhen për gjetjen e një zgjidhjeje të duhur. Sipas tij, hapat konkretë do të mund të definohen brenda pak ditësh.

“Shpresojmë se deri kah fundi i javës, do ta kemi një informatë ekzakte për gjithë angazhimin që po bëhet nga të gjitha palët në proces - UNOPS-i, Qeveria dhe EUROSTAT-i. Mund të ndodhin gjëra të paparashikueshme, por shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje”, deklaron Blaku për Radion Evropa e Lirë.

Procesi i rregullt i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është zhvilluar nga data 1 prill deri më 15 të po këtij muaji. Shtyrja e afatit prej katër ditësh nuk kishte bindur serbët që t’i përgjigjen procesit.

Ish-ministrja e Administratës Publike, Melihate Tërmkolli, e sheh si “problem serioz” këtë çështje. Nëse regjistrimi në veri bëhet nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, çfarë është kërkesë e serbëve, procesi nuk do të jetë i ligjshëm, thotë Tërmkolli.

Melihate Tërmkolli
“...sepse regjistrimin në territorin e vendit e bën Enti i Statistikës dhe jo dikush tjetër. Jam skeptike se një gjë e tillë do të mund të bëhet edhe me ndërkombëtarët. I keni parë paralajmërimet e Beogradit se do ta bëjë ai regjistrimin atje”.

“Në fakt, ky është një lëshim i madh që e ka bërë Kosova, sepse nuk e ka bërë regjistrimin atje me atë që kishte
”, thotë Tërmkolli.

Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë pranuar se ambienti politik ka bërë që në veri të mos realizohet regjistrimi. Ata po zhvillojnë takime me përfaqësuesit e serbëve atje për të arritur ndonjë marrëveshje. Këtë e pohon edhe Rifat Blaku.

“Përfaqësuesit e UNOPS-it, në bazë të vendimit të Qeverisë, janë duke i bërë ato biseda”, thotë ai.

Serbët në veri kanë deklaruar në vazhdimësi se nuk do t’i përgjigjen asnjë strategjie të institucioneve të Kosovës për regjistrimin e popullsisë në këtë pjesë të vendit.

Millan Ivanoviq
Millan Ivanoviq ripërsërit se komuniteti i tij nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që organizohet nga institucionet e Kosovës.

“Serbët e kanë shprehur qartë qëndrimin e tyre se duan të marrin pjesë në regjistrimin që organizojnë institucionet e Serbisë – pra shtetit ku edhe jetojnë serbët”, thotë Ivanoviq.

Ai shpreh bindjen se, në vjeshtën e këtij viti, Beogradi do të organizojë procesin e regjistrimit edhe për pjesën veriore të Kosovës, ndërsa serbët lokalë, shton ai, do të shënojnë pjesëmarrje masovike.

Për mundësinë e pjesëmarrjes së tyre po qe se regjistrimi organizohet nga ndonjë mekanizëm ndërkombëtar, Ivanoviq thotë se do të respektohet qëndrimi i Qeverisë në Beograd.