Ndërlidhjet

Veriut, afat shtesë për regjistrim


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Përfaqësues të Qeverisë së Kosovës kanë shfaqur shpresën se do të mund ta përfshijnë pjesën veriore të Kosovës në regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare. Për shkak të bojkotimit të deritanishëm të procesit nga serbët që jetojnë në atë pjesë, ata nuk përjashtuan mundësinë që të zgjaten afatet kohore për ta realizuar projektin në veri. Serbët e veriut, ndërkaq, duan që procesi i regjistrimit të popullsisë në zonat në veri të lumit Ibër të zhvillohet nga administrata e Kombeve të Bashkuara, e jo nga institucionet kosovare.


Brenda dhjetë ditëve të para që prej nisjes së regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë e deri më tani janë regjistruar përafërsisht 1.5 milion banorë të vendit, bënë të ditur përfaqësues të Entit të Statistikave të Kosovës.

Ata thanë se, edhe në ditën e 12-të, veriu i Kosovës ka mbetur jashtë procesit të regjistrimit. Mirëpo, sipas autoriteteve kosovare, aktualisht janë duke vazhduar konsultimet me mekanizmat e tjerë përgjegjës për regjistrimin e popullsisë, për ta nisur këtë proces edhe në veri të vendit.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, tha se në takimin e fundit të komitetit drejtues është bërë e ditur se janë duke vazhduar përpjekjet me Komisionin Evropian, me UNOPS-in dhe me donatorët e tjerë të projektit, për t’i ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në regjistrim.

Pavarësisht bojkotimit të deritashëm të procesit nga serbët që jetojnë në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, Jagxhillar shprehu bindjen se procesi nuk do të dështojë në atë pjesë të vendit, ndërsa theksoi se regjistrimi kryhet në baza vullnetare.

“Edhe me kohë, edhe me dëshirë kjo çështje mund të bëhet, sepse ne dëshirojmë vërtet të kemi pjesëmarrje. Në qoftë se nuk do të jetë pjesëmarrja, atëherë edhe procesi - pa marrë parasysh se a do të fillojë nesër apo pasnesër - nuk do të jetë i suksesshëm”, u shpreh ai në një konferencë për media.

Ai njoftoi se për shkak të vështirësive lidhur me regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare në veri, për përfundimin e këtij procesi në atë pjesë të Kosovës është parashikuar një afat shtesë kohor.

“Sigurisht se do të ketë, sepse ne jemi duke e realizuar, edhe nga aspekti buxhetor, por edhe nga aspekti operacional, procesin me pjesëmarrjen e qytetarëve”, tha Jagxhillar.

Mirëpo, pjesëmarrja e qytetarëve serbë të veriut të vendit duket se nuk mund të pritet, përderisa procesi i regjistrimit të mbetet përgjegjësi e mekanizmave shtetërorë të Kosovës.

Nënkryetari paralel i komunës së Leposaviqit, Radosh Mihajlloviq, mohoi që zyrtarët e kësaj komune të jenë kontaktuar nga Qeveria e Kosovës apo UNOPS-i. Sidoqoftë, ai vlerësoi se regjistrimi mund të ishte i pranueshëm për serbët po qe se ai do të udhëhiqej nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

“Unë mendoj se askush në veri nuk do të marrë pjesë në regjistrimin e organizuar nga Prishtina. Ne besojmë se vetëm UNMIK-u duhet ta organizojë regjistrimin. Kjo është e vetmja mënyrë që do të na bënte të regjistroheshim”, tha Mihajlloviq.

Regjistrimi i popullsisë nisi në fillim të këtij muaji, ndërsa është parashikuar të përfundojë brenda 15 ditësh. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG