Ndërlidhjet

Refuzojnë regjistrimin


Mitrovicë
Mitrovicë

Beogradi zyrtar, ditë më parë, u ka bërë thirrje serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe pronës, i organizuar nga institucionet e Kosovës. Një gjë e tillë do të respektohet, pohojnë liderët politikë të serbëve të veriut.

Marko Jakshiq thotë se thirrja, të cilën e kanë bërë zyrtarët e Qeverisë në Beograd, është porosi për të gjithë serbët që jetojnë në Kosovë, e posaçërisht për ata në veri.

“Unë konsideroj se kjo është porosi dhe obligim për të gjithë serbët. Ata, këtë porosi të shtetit të tyre, do të thotë të Beogradit, duhet ta dëgjojnë, sidomos duke pasur parasysh që më shumë se 200 mijë bashkombas tanë nuk janë kthyer”.

“Mendoj se kjo nuk është në interes, para së gjithash, të serbëve që jetojnë në këtë hapsirë e as të Beogradit dhe gjithë shtetit serb”,
thotë Jakshiq.

Mendim të ngjashëm ka edhe Branko Niniq, udhëheqës i komunitetit serb në Leposaviq. Ai thotë se regjistrimin nuk e organizon UNMIK-u dhe se ende nuk janë arritur kushtet që ky proces të zhvillohet normalisht.

“Fillimisht duhet krijuar kushtet që të gjithë serbët që janë shpërngulur nga Kosova, të kthehen në këtë hapësirë, në mënyrë që të arrihen kushtet e njëjta për të gjithë qytetarët dhe për të gjitha etnitetet në Kosovë. Serbët e veriut të Kosovës me siguri se nuk do të marrin pjesë, ndërkohë që ky është edhe qëndrimi i shtetit tonë, Serbisë”, thekson Niniq.

Qyetarët serbë që jetojnë në pjesën veriore të Mitrovicës, thonë se nuk janë të interesuar që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit. Jovan Pavlloviq thotë se, deri më tash, në veri as që ka filluar ky proces.

“Askush nuk ka ardhur deri më tash lidhur me këtë çështje. Ne nuk jemi të interesuar që të regjistrohemi, sepse nuk i respektojmë institucionet e Kosovës dhe nuk u besojmë atyre”, thotë Pavlloviq.

Ngjashëm shprehet edhe Jellena Markoviq:

Edhe pse autoritetet e Kosovës u kanë bërë thirrje serbëve të Kosovës që të marrin pjesë në regjistrim, unë megjithatë e respektoj qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Serbisë dhe Beogradit zyrtar, që serbët nuk duhet të marrin pjesë në këtë regjistrim të popullatës”.

Edhe Millosh Petroviq thotë se nuk do t’i nënshtrohet procesit të regjistrimit.

“Morëm ose jo pjesë në këtë proces, nuk do të fitojmë e as të humbim ndonjë gjë, për shkak se tashmë Kosova është e humbur për ne. Mbetet status quo-ja. Unë nuk do të dal në regjistrim. Tashmë na ngelet që vetëm të përpiqemi për veriun e Kosovës, por edhe kjo është e vështirë”,
thotë Petroviq.

Zyrtarët e Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, ditë më parë, kanë deklaruar se regjistrimi në veri të vendit nuk është duke u zhvilluar, porse janë duke u bërë përpjekje që të krijohet një strategji që do ta mundësonte një gjë të tillë.

Në këtë strategji, sipas tyre, janë të inkuadruar njerëz nga Bashkimi Evropian dhe strukturat e larta politike dhe shtetërore të Kosovës.

Por, politikanët serbë vlerësojnë se asnjë strategji nuk do t’i bindë serbët që të marin pjesë në procesin e regjistrimit. Jakshiq thotë:

“Mendoj se asnjë strategji apo çfarëdo tjetër nuk mund t’i detyrojë serbët që të marrin pjesë në këtë regjistrim, e sidomos serbët në veri të Kosovës. Mendoj se këtu askush nuk shkon në komisionet për regjistrim dhe nuk pres që dikush nga serbët të nisë ta bëjë regjistrimin për llogarinë e Prishtinës”, thekson Jakshiq.

Edhe Niniq vlerëson ngjashëm lidhur me paralajmërimet për strategjinë e institucioneve të Kosovës për regjistrimin në veri të vendit.

“Serbët do ta refuzojnë atë. Reagime nuk do të ketë nga serbët, përveç nëse autoritetet e Prishtinës dhe bashkësia ndërkombëtare do të provonin që ta bëjnë këtë me dhunë. Por, mendoj se kjo nuk do të ndodhë”, deklaron Niniq.

Serbët e veriut të Kosovës thonë se do ta repsketojnë vetëm regjistrimin e popullsisë nga Qeveria e Serbisë, gjë që është paralajmëruar se do të bëhet në tetor të këtij viti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG