Reciprocitet gjatë dialogut?

Republika e Kosovës

Pala kosovare në dialogun me Serbinë mund të kërkojë për jugun e Serbisë atë që pala serbe mund të kërkojë për veriun e Kosovës. Megjithatë, autoritetet në Prishtinë thonë se kjo çështje, tash për tash, nuk është futur në agjendën e bisedimeve. Kurse, disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me fillimin e dialogut Prishtinë - Beograd, kërkuan që çështja e tri komunave të banuara me shumicë shqiptare të shtrohet si temë diskutimi.


Përfaqësuesit e lartë të institucioneve të Kosovës thonë se nëse gjatë bisedimeve, të cilat kanë nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kërkohet diçka specifike për serbët në veri të Kosovës, atëherë edhe pala shqiptare do të kërkojë të njëjtën gjë për shqiptarët që jetojnë në jug të Serbisë.

Disa nga përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës me fillimin e këtij dialogu, kërkuan që çështja e tri komunave të banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë të shtrohet si temë diskutimi.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo çështje tash për tash, nuk është futur në agjendën e bisedimeve.
Ne nuk kemi diskutuar për këtë çështje, por logjika e gjërave thotë që nëse dikush i rregullon raportet ndërshtetërore, duhet të funksionojë
edhe logjika e reciprocitetit ...


“Ne nuk kemi diskutuar për këtë çështje, por logjika e gjërave thotë që nëse dikush i rregullon raportet ndërshtetërore, duhet të funksionojë edhe logjika e reciprocitetit, do ta quaja faktik dhe formal në mes të dy shteteve. Po kjo nuk është temë që ne e kemi vënë në agjendë. Por, nëse dikush mendon që ta vëmë në agjendë, edhe ne do ta kemi përgjigjen tonë”,
deklaron Kuçi.

Kuçi thotë se plani i palës kosovare është insistimi në aplikimin e reciprocitetit:

“Nuk e besoj që kjo mund të ndodhë, së paku jo në këtë fazë. Unë mund të them se ne jemi të interesuar që edhe qytetarët tanë, ata serbë në Kosovë, t’i kenë të drejtat e barabarta dhe të trajtuara mirë, po njëkohësisht kërkojmë dhe do të jemi të interesuar që edhe shqiptarët në Serbi apo kudo që gjenden dhe etnitë e tjera, të kenë të drejtat e barabarta”.


Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, pret që çfarëdo përfitimesh që mund të marrin serbët e veriut të Kosovës nga këto bisedime, të njëjtën gjë do të duhej ta përfitonin edhe shqiptarët e Luginës.

Mustafa, madje, pret që nga këto bisedime do të mund të sigurohet një paqe në tërë rajonin.

“Po në atë shkallë sa do të zbatohen të drejtat dhe përfitimet për pjesën e serbëve të veriut të Kosovës, përfitimet të jenë të njëjta edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kjo konsiston në një zgjidhje afatgjatë të problemeve ndërmjet shqiptarëve e serbëve, ashtu si ka probleme edhe më tutje pas pavarësisë së Republikës së Kosovës, edhe pas 11 vjet të tërheqjes së Serbisë nga Kosova”,
thekson Mustafa.

Mustafa thotë se përfundimisht është obligimi kombëtar i politikanëve të Kosovës që në mënyrë të denjë t’i mbrojnë interesat e shqiptarëve në Luginës së Preshevës.
Kur Serbia e ka të drejtën e kërkesës së kushteve më të mira për serbët në Kosovë, pse kjo nuk i takon lidershipit shqiptar...


“Kur Serbia e ka të drejtën e kërkesës së kushteve më të mira për serbët në Kosovë, pse kjo nuk i takon lidershipit shqiptar në Republikën e Kosovës, të mos e bëjë për shqiptarët e Luginës?! Prej kujt ne do të presim në të ardhmen që të angazhohet dhe të interesohet për një jetë më të mirë të shqiptarëve në Luginë të Preshevës? Kjo lidhet me Kushtetutën e Kosovës, e po ashtu edhe atë të Shqipërisë, ku janë definuar çështje për mbrojtjen e interesave dhe avancimin e jetës më të mirë të shqiptarëve jashtë trojeve”,
thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.

Kurse, sekretari shtetëror në Ministrinë e Kosovës në Qeverinë Serbisë, Oliver Ivanoviq, kundërshton përfshirjen e interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në bisedimet Prishtinë - Beograd.

Për më tepër, Ivanoviq mendon se nëse ngrihet kjo çështje, palët mund t'i çojë në një konflikt në fillim të bisedimeve. Sipas tij, lidhur me çështjen e shqiptarëve në Serbinë jugore, nuk i takon Kosovës që t’i paraqesë interesat e tyre.

“Kjo është absurde. Së pari, kush e legjitimon Kosovën për t’i përfaqësuar pikëpamjet dhe interesat e shqiptarëve të Kosovës në Serbi? A nuk do të ishte më e natyrshme që Shqipëria, e cila nga ne dhe nga ndërkombëtarët njihet si shtet, ta bënte këtë?! Në anën tjetër, pse duhet të përmenden tema, të cila mund të na sjellin konflikt tash në fillim të dialogut?!”,
shprehet Ivanoviq.