Ndërlidhjet

BE: Nisje e mirë e dialogut


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Në Bruksel ka përfunduar të mërkurën takimi i parë ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja.

Të tri palët, si delegacioni i Kosovës, Serbisë ashtu edhe ai i Bashkimi Evropian në cilësinë e lehtësuesit të dialogut, e kanë quajtur takimin e parë si konstruktiv dhe nisje e mirë e dialogut.

Takimi u zhvillua në një atmosferë konstruktive dhe të përzemërt, ishte informativ dhe produktiv. Të dyja palët ripërsëritën përkushtimin e tyre për dialog dhe gatishmërinë për të vazhduar procesin, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Evropian të lëshuar pas këtij takimi.

Në të njëjtën thuhet se lehtësuesi paraqiti qëllimet e dialogut, që janë të hiqen pengesat që kanë ndikim negativ në jetën e përditshme të njerëzve, të përmirësohet bashkëpunimi dhe të arrihet përparimi në rrugën drejt Evropës.

Ky takim i parë ishte rast për të diskutuar dispozicionin e informatave të verifikueshme nga librat e regjistrit civil, si dhe për kadastrat, çështje që kanë ndikim direkt në jetën e përditshme të njerëzve, thuhet në komunikatë.

Duke iu referuar temave që u diskutuan në takimet e para, thuhet se në takim po ashtu u diskutua për tregun rajonal dhe lirinë e lëvizjes së mallrave - një çështje me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të tregjeve të vogla individuale që përbëjnë rajonin e Evropës juglindore.

Është diskutuar edhe për marrëveshjen e CEFTA-s dhe në njoftimin e BE-së thuhet se të dyja palët e vlerësuan pozitivisht pjesëmarrjen e tyre në CEFTA dhe konfirmuan se do të marrin pjesë gjatë kryesimit të vitit 2011.

Siç dihet, gjatë këtij viti kryesimin e CEFTA-s e ka Kosova, e cila në këtë mekanizëm ishte anëtarësuar që në kohën kur ishte nën administrimin e UNMIK-ut.

Palët po ashtu prekën çështjen e telekomunikacionit dhe teleaviacionit - dy fusha ku bashkëpunimi hap perspektivën për shërbime më të mira për konsumatorët, më shumë efikasitet ekonomik dhe praktikë më të favorshëm të mjedisit.

Palët presin të diskutojnë këto si dhe tema tjera në takimet e radhës. Kishte pajtim që takimi i dytë të zhvillohet sa më shpejt, përfundon komunikata e BE-së e lëshuar lidhur me nisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Nga burime diplomatike mësohet se në shumicën e temave të diskutuara në këtë takim ishin afruar qëndrimet mes Prishtines dhe Beogradit, ndërsa ndër temat më problematike është dukur të ketë qenë ajo që ka të bëjë me vulat e doganave të Kosovës, sepse është një çështje, e cila në një mënyrë lidhet edhe me statusin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG