Dilemat ndaj bisedimeve

Kabineti qeveritar

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përshëndeti fillimin e dialogut me Serbinë. Ai kërkoi që ky proces të mbështetet edhe nga opozita dhe shoqëria civile. Në prag të seancës së të enjtes, ku Kuvendi ka në agjendë miratimin e një rezolute për bisedimet, pozita dhe opozita të mërkurën nuk arritën t’i harmonizojnë qëndrimet rreth tekstit të draft-rezolutës dhe u vendos që një takim ndërmjet tyre të mbahet edhe të mërkurën, para fillimit të punimeve të Kuvendit.


Nisja e bisedimeve me Serbinë, nga subjektet politike në Prishtinë u vlerësua në mënyra të ndryshme.

Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi fillimin e dialogut me Serbinë si pjesë të agjendës së integrimeve euroatlantike për të dyja vendet. Ai tha se bisedimet po zhvillohen ndërmjet palëve të barabarta dhe me lehtësimin e BE-së, ku rolin e vet e kanë edhe Shtetet e Bashkuara.

Në këtë aspekt, Thaçi kërkoi edhe mbështetjen e Kuvendit, si dhe ftoi partitë opozitare që të përfshihen në grupet punuese që Qeveria tashmë po i krijon.

“Ne duam dhe do të punojmë që të kemi punë të përbashkët, në ekipe të përbashkëta me gjithë spektrin politik, edhe opozitën, edhe shoqërinë civile. Prandaj, ne do të jemi shumë fleksibilë për të punuar e bashkëpunuar me të gjithë, për të garantuar një sukses të këtij dialogu”, tha Thaçi.

Në përpjekje që Kuvendi i Kosovës t’i harmonizojë qëndrimet karshi këtij dialogu, shefat e grupeve parlamentare u takuan të mërkurën për harmonizimin e qëndrimeve në prag të seancës që do të mbahet të enjten, ku është paralajmëruar miratimi i një rezolute për dialogun me Beogradin.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, si propozues i rezolutës, tha se harmonizimet me opozitën duhet të vazhdojnë edhe të enjten, para fillimit të seancës.

“Do t’i hedhim në letër, do t’ua dorëzojmë, t'ua përcjellim të gjitha grupeve parlamentare. Nesër kemi edhe një takim para seancës parlamentare ku do t’i harmonizojmë të gjitha qëndrimet”,
bëri të ditur Grabovci.

Në anën tjetër, dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, edhe pse e cilësuan të ngutshëm veprimin e Qeverisë për të nisur dialogun me Serbinë, megjithatë nuk e përjashtuan mundësinë që në seancën e së enjtes ta harmonizojnë një tekst të rezolutës, si qëndrim i Kuvendit për bisedimet.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, tha se kjo rezolutë do të mbështetet vetëm nëse përfillen propozimet e kësaj partie në lidhje me tekstin e kësaj rezolute.

“Varet nga teksti se si do të jetë. Nëse përfshihen ato që i kemi thënë ne, atëherë për këtë shkak edhe e kemi lënë që të shihemi dhe atëherë qasja jonë do të jetë konstruktive, edhe pse konstruktive është edhe të mos e përkrahim diçka që konsiderojmë që s’duhet përkrahur”,
theksoi Beqiri.

E pajtimit që bisedimet rreth rezolutës të vazhdojnë, u shpreh edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini, tha se rezoluta duhet të sigurojë që bisedimet të mos shkojnë në dëm të Kosovës.

“Arsyeja pse rezoluta po ndodh kësisoj dhe pse duhet të takohemi edhe një herë nesër, është se Grupi Parlamentar i AAK-së dhe disa grupe tjera parlamentare ende kanë drojë se në situatën, në të cilën ndodhemi, negociatat mund të jenë në dëm të Kosovës. Po provojmë që, si organ më i lartë politik dhe si përfaqësues në Kosovë, të bëjmë diçka që një situatë e tillë të mos ndodhte për vendin”
, u shpreh Gjini.

Me një qëndrim të qartë kundër bisedimeve me Serbinë u paraqit Lëvizja Vetëvendosje. Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, tha se ky subjekt me një draft-rezolutë që ka propozuar në seancën e së hënës, ka kërkuar që bisedimet të ndalen dhe jo të mbështeten, siç synon PDK-ja.

“Lëvizja Vetëvendosje qëndron prapa qëndrimeve të saj politike dhe ajo që u diskutua sot, këtu, u pa që nuk ka mundësi për pajtueshmëri në mes tekstit të rezolutës që e kemi paraqitur ne dhe tekstit tjetër të rezolutës që është paraqitur nga PDK-ja, për shkak se këto dy rezoluta dallojnë në thelb”
, tha Ymeri.

Duke i komentuar angazhimet e partive në Parlament për harmonizimin e një teksti të rezolutës, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i inkurajoi ato që të arrijnë një pajtim për këtë rezolutë.

Ndërkaq, lidhur me dialogun, Krasniqi tha se ky proces i filluar, duhet të ndikojë në përmirësimin e jetës, jo vetëm të serbëve në Kosovë, por edhe të shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

“Ne jemi që të ndryshojë kualiteti i jetës dhe marrëdhëniet ndëretnike brenda për brenda Kosovës, ta kenë një nivel shumë më të mirë sesa që e kanë tani. Gjithashtu, jemi të bindur që këto bisedime do të krijonin një kualitet shumë më të mirë edhe për jetën e qytetarëve në Serbi dhe jetën e shqiptarëve që jetojnë në Serbi”
, potencoi Krasniqi.

Ndryshe, rezoluta në Kuvendin e Kosovës për bisedimet është iniciuar në seancën e së hënës. Kjo rezolutë, është thënë se do t’i përcaktonte kryesisht vijat e kuqe për delegacionin e Kosovës se çka nuk mund të bisedojë fare me Beogradin.