Ndërlidhjet

Dialogu Kosovë - Serbi nis më 8 mars



Javën që vjen në Bruksel pritet të fillojë dialogu aq shumë i paraparë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të Ketrin Eshton, Maja Kocijanciq, mirëpo ajo nuk ka dashur të saktësojë se në cilën ditë do të mund të ndodhë nisja formale e këtij dialogu.

Ajo ka thënë se mund të konfirmojmë se dialogu do të nisë javën që vjen. Mirëpo, burime tjera nga Këshilli i Bashkimit Evropian kanë pohuar se data e nisjes së dialogut, sipas të gjitha gjasave, do të jetë dita e martë, pra 8 marsi.

Po ashtu, zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë pohuar se përgatitjet e fundit dhe konsultimet janë zhvilluar këto ditë në Prishtinë dhe në Beograd, ku ka qëndruar delegacioni i zyrtarit të lartë të BE-së, Robert Kuper, i cili ka bërë konsultimet edhe me Prishtinën edhe me Beogradin, në mënyrë që të niset me një agjendë të përpiluar më parë.

Zyrtarë të BE-së nuk kanë dashur në këtë moment të saktësojnë se cilat do të jenë temat e para të diskutimit, mirëpo sipas disa burimeve në BE, nuk pritet që nisja e dialogut të jetë në nivel shumë të lartë, por do të zhvillohet ndërmjet shefave të delegacioneve për dialog, që janë emëruar nga autoritetet përkatëse në Prishtinë dhe në Beograd.

Qasja e zyrtarëve të BE-së është që të ketë takime në mënyrë diskrete dhe të jenë më shumë takime pune, sesa të ketë ndonjë pompozitet në media, thonë disa burime të BE-së.

Sido që të jetë, në BE pohojnë se që moti është dashur të niste dialogu, mirëpo për shkak të krizës institucionale që kishte ndodhur në Kosovë për shkak të zgjedhjeve, ishte shtyrë deri më tani.

Kurse, tani, sipas zyrtarëve të BE-së, nuk ka nevojë më të pritet dhe dialogu duhet të nisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG