Rinumërim dhe hetim votash

Zgjedhjet në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në bazë të rekomandimeve nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, ka filluar rinumërimi i 92 vendvotime dhe hetimi i 27 të tjerave nga zgjedhjet e 9 janarit, për shkak të parregullsive të gjetura. Nga 92 vendvotime, 40 janë nga komuna e Drenasit, 33 nga Skënderaj, 17 nga Deçani dhe nga një vendvotim në Malishevë e Lipjan.


Për shkak të parregullsive gjatë zgjedhjeve të 9 janarit, që janë vërejtur nga Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka udhëzuar QNR-në, që të bëjë rinumërimin e 92 vendvotimeve.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemalj Peqani, tha se për shkak të parregullsive të gjetura, rinumërimi tashmë ka filluar.
Ky rinumërim po bëhet pas pranimit të materialit, ku QNR-ja ka konstatuar se ka mospërputhje në mes të listës së kandidatëve dhe listës së subjekteve politike.


“Ky rinumërim po bëhet pas pranimit të materialit, ku QNR-ja ka konstatuar se ka mospërputhje në mes të listës së kandidatëve dhe listës së subjekteve politike”, tha Peqani.

Vendimi për këtë proces të rinumërimit është marrë të mërkurën në një mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e cila u mbajt në mëngjes.

Anëtari KQZ-së, Blerim Burjani, tha për Radion Evropa e Lirë, se do të numërohen rreth 92 vendvotime.

“Kanë ardhur një varg rekomandimesh nga Qendra e Numërimit, pas shtjellimit të të gjitha rekomandimeve jemi përcaktuar që të bëhet rinumërimi i disa vendvotimeve. Kryesisht sipas të dhënave që kemi marrë, thuhet se do të rinumërohen votat e 92 vendvotimeve nga komunat e fundit që ishin në votim, për të kërkuar vërtetësinë e votave”,
theksoi Burjani, anëtar i KQZ-së nga AAK-ja.

Veç rinumërimit të 92 vendvotimeve, të cilat janë nga të gjitha komunat ku u përsëritën zgjedhjet, QNR-ja do të bëjë edhe një hetim për disa vendvotime të tjera.

Kryeshefi i KQZ-së, Peqani, shpjegoi:

“Edhe 27 kuti të votimit do të shkojnë në hetim. Pas hetimit do të shohim se çka do të gjendet në ato kuti dhe më pas KQZ-ja do të vendosë, pas rekomandimeve të QNR-së, se a do të rinumërohen edhe ato kuti, apo do të shkohet në ndonjë formë tjetër”.

Nga ana tjetër, Adnan Merovci, njohës i proceseve zgjedhore, rinumërimin e këtyre votave e sheh si proces normal të zgjedhjeve. Por, sipas tij, aspekti politik i procesit zgjedhor në Kosovës është i devijuar.
...në aspektin politik po hyjmë në një spirale pa fund rreth këtyre gjërave dhe përfundimisht trajtohet si devijim.


“I ka dy aspekte, në aspektin legal dhe teknik mund të thuhet se çdo gjë është në rregull se janë konstatuar dilema, dyshime ose parregullsi dhe ka qasje ligjore dhe po ecë, por në aspektin politik po hyjmë në një spirale pa fund rreth këtyre gjërave dhe përfundimisht trajtohet si devijim”,
vlerësoi Merovci.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka marrë 61 ankesa nga subjektet politike në lidhje me parregullsitë e evidentuara në pesë komunat ku u përsëritën zgjedhjet më 9 janar 2011.

Kryesuesi i Panelit, Shukri Sylejmani, tregoi se 39 ankesa i ka paraqitur Vetëvendosja, 10 LDK-ja, 10 BIRN-i dhe dy PDK-ja.

Ndërkohë, vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë kritikuan rivotimin, duke vënë në pah parregullsi të shumta që kanë pamundësuar përmbushjen e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Lexoni edhe këto:

Rivotimet vonojnë proceset diplomatike
Edhe Mitrovica në rivotim