Ndërlidhjet

Edhe Mitrovica në rivotim


Zgjedhjet në Kosovë
Zgjedhjet në Kosovë
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të përsëriten votimet edhe në 24 qendra të votimit në Mitrovicë. KQZ-ja ende nuk e ka marrë vendimin për përsëritje të votimit. Ndërkohë, të premten në mesnatë përfundon fushata për rivotimet në Drenas, Skënderaj dhe Deçan, si dhe në qendrat e votimit të caktuara në Lipjan dhe Malishevë. Përsëritja e votimeve është pasojë e parregullsive gjatë zgjedhjeve të 12 dhjetorit.


Edhe Mitrovica do të shkojë në rivotim, ndërsa të dielën, për shkak të parregullsive, zgjedhjet do të përsëriten në Drenas, Skënderaj dhe Deçan, si dhe në qendrat e votimit të caktuara në Lipjan dhe Malishevë.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që edhe në Mitrovicë të përsëriten zgjedhjet në 24 qendra të votimeve. Vendimi është marrë pas ankesës së paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani. Në bazë të aktgjykimit, sipas Hasanit, anulohet vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ndërsa urdhërohet KQZ-ja që t`i përgatisë procedurat për përsëritjen e votimeve në këto 24 qendra të votimit.

Mitrovica

“Lëvizja Vetëvendosje kishte një ankesë dhe meqenëse ajo ankesë ishte kthyer në PZAP, PZAP-i nuk i kishte evituar ato të meta që i ka gjetur Gjykata Supreme. Pra, gjykata ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në t’i përsërisë zgjedhjet në 24 vendvotime”,
ka thënë Hasani.

Në Mitrovicë për zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë qenë 29 qendra vendvotimi. Por, nuk dihet nëse do të ketë rivotime të tërësishme apo vetëm në 24 vendvotime. Për këtë do të vendosë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ndryshe, fushata elektorale për zgjedhjet që do të përsëriten në Drenas, Skënderaj dhe Deçan, si dhe në qendrat e votimit të caktuara në Lipjan dhe Malishevë, përfundon të premten në mesnatë.

Kandidatët e partive politike, në komunat e lartpërmendura, kanë pasur kohë vetëm tri ditë që t’i përsërisin premtimet para qytetarëve dhe të shpalosin programet e tyre.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për zgjedhjet e 9 janarit.

Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Xhemajl Peqani, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se fushata treditore ka kaluar e qetë dhe pa incidente.

“Nga informatat që kemi marrë nga Komisionet Komunale Zgjedhore në këto pesë komuna, ku është zhvilluar fushata, nuk ka pasur ndonjë problem dhe fushata zgjedhore do të mbyllet në mesnatë”, ka konfirmuar Peqani.

Kryeshefi i KQZ-së, Peqani, ka thënë gjithashtu se të gjitha materialet jo të ndjeshme do të shpërndahen gjatë ditës në Komisionet Komunale Zgjedhore.

“Materiali josensitiv sot do të shpërndahet në depot e Komisioneve Komunale, ndërsa materiali sensitiv, shpërndahet nesër në orët e hershme të mëngjesit, në mënyrë që Komisionet Komunale në ditën e 9 janarit ,në orën 7 të mëngjesit të jenë të gatshme në vendvotime”, ka sqaruar Peqani.

Zgjedhjet e së dielës do të monitorohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë. Miradie Mavriqi nga Zyra për regjistrimin e partive politike në KQZ, shpjegon më shumë:

“Gjithsej janë akredituar 2.565 vëzhgues. Nga këta, vëzhgues vendorë janë 2.213, vëzhgues ndërkombëtarë janë 352. Mirëpo, ka mbetur edhe një numër i vëzhguesve të paakredituar, për arsye se kanë pasur gabime në të dhëna, të cilat shpresojmë që nesër do t’i kryejmë dhe nesër do të bëhet akreditimi i fundit”
.

KQZ-ja ka konfirmuar se numri i përgjithshëm i votuesve në komunat ku do të përsëriten zgjedhjet, është 133, 221 votues. Institucioni për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka njoftuar, po ashtu, se të dielën do të hapen 60 qendra votimi me 178 vendvotime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG