Prioritet, ndërkombëtarizimi i sporteve

Fotografi ilustruese

Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe përfaqësues të Komitetit Olimpik të Kosovës, presin që gjatë vitit 2011 sporti kosovarë të inkuadrohet në rrjedhat e sportit ndërkombëtar. Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të sportit në MKRS, shpreh mendimin se gjatë këtij viti do të përmbyllet njohja e Komitetit Olimpik të Kosovës nga ai ndërkombëtar, si dhe i federatave sportive në federatat gjegjëse ndërkombëtare. Ndërkaq, Besim Hasani, drejtues i Komitetit Olimpik të Kosovës thotë se rreth 6 federata sportive të Kosovës janë afër pranimit në federatat gjegjëse ndërkombëtare.


Të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare, përgjegjëse për sportin në Kosovë, gjatë vitit të kaluar kanë qenë të angazhuara maksimalisht për ndërkombëtarizimin e sporteve, vlerësojnë zyrtarë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Komiteti Olimpik i Kosovës.

Me gjithë rezultatet modeste të arritura gjatë vitit 2010, ata thonë se do të vazhdojnë të këmbëngulin që edhe gjatë vitit 2011, sportet e Kosovës të hyjnë në rrjedhat dhe zhvillimet sportive ndërkombëtare, si dhe të bëhen pjesë e mekanizmave sportiv ndërkombëtarë.

Ibër Alaj, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thotë se ky departament edhe për vitin 2011 do ta ketë në plan të parë ndërkombëtarizimin e sportit.

Sipas tij, fillimisht do të punohet në planin e brendshëm, në fuqizimin e federatave të sporteve dhe menaxhmenteve të tyre, si dhe organizimin e garave sportive, me qëllim të përgatitjes sa më kualitative të sportistëve për pjesëmarrjen eventuale në gara ndërkombëtare.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës

“Mendojmë që t’i ngremë kualitetet tona dhe t’i zhvillojmë sportet brenda territorit tonë. Menaxhmenti i federatave dhe i Komitetit Olimpik, të ngrihet me kapacitete, që të lobojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në organizmat ndërkombëtarë dhe kërkesat e tyre të jenë më të fuqishme”.

“Jemi duke përgatitur reaplikacionet edhe një herë, që t’u drejtohemi institucioneve, federatave gjegjëse, atyre që s’na kanë njohur, që të bëjmë presion. Edhe Federata e Futbollit ka marrë shenja të mira. Mendojmë që viti 2011 do ta përmbyllë njohjen e Komitetit Olimpik dhe federatave në federatat gjegjëse ndërkombëtare”,
thotë Alaj.

Ndryshe, për t’u pranuar Komiteti Olimpik i Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, Kosova duhet të jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, një nga kushtet e nevojshme është edhe pranimi i pesë federatave sportive nga federatat gjegjëse ndërkombëtare.

Besim Hasani, drejtues i Komitetit Olimpik të Kosovës, thotë se ky komitet është duke u angazhuar që gjatë vitit 2011 të plotësohet ky kusht dhe për këtë ekziston plani i konkretizuar dhe i harmonizuar me federatat sportive, Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Komisionin Parlamentar për sportin.

“I kemi identifikuar federatat që kanë rrethanat më lehtësuese për t’u pranuar në federatat përkatëse ndërkombëtare. Jemi duke punuar në krijimin e federatave të reja, për të cilat, statutet e federatave ndërkombëtare e lejojnë pranimin e tyre. Jemi të bindur që në vitin 2011, këto federata do të njihen, Komiteti Olimpik i Kosovës do të aplikojë, si dhe, normalisht, mbetet që edhe pavarësinë e Kosovës ta njohin më shumë shtete”,
shprehet Hasani.

Hasani shton se tashmë janë pesë ose gjashtë federata sportive, siç thotë ai, një hap larg njohjes me të drejta të plota nga federatat përkatëse ndërkombëtare.
Kështu që, janë
5 ose 6 federata që janë potenciale për
t’u pranuar gjatë vitit 2011.


Për t’u njohur, afër është Federata e Mundjes, Federata e Hendbollit, Federata e Skijimit, pastaj Federata e Xhudos, Federata e Kalërimit, Federata e Triatlonit... Kështu që, janë 5 ose 6 federata që janë potenciale për t’u pranuar gjatë vitit 2011”.

“Por, sidoqoftë, ne konsiderojmë që në qoftë se njihen këto 5 federata, Asambleja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar do ta ketë parasysh që sportistët e Kosovës kanë qenë të izoluar për 20 vjet dhe se nuk duhet t’i lë edhe më tej të izoluar”
, shton Hasani.

Ndërkaq, Alaj shpjegon se zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve janë angazhuar dhe do të vazhdojnë të angazhohen që të arrijnë marrëveshje me ministritë homologe të vendeve të ndryshme për të hapur rrugët drejt ndërkombëtarizimit të sportit kosovar.

“Në kuadër të institucioneve, jemi duke biseduar që të bëjnë presion në federatat e tyre, që t’i njohin federatat tona dhe të kenë bashkëpunim në organizimin e garave të ndryshme në lojëra të ndryshme. Andaj, mendojmë që viti 2011 do të jetë më i suksesshëm, për shkak edhe të njohjeve ndaj Kosovës”.

“Kërkohen 100 njohje që të njihet në Kombet e Bashkuara. Ndërsa, ka edhe disa shtete që janë në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, por që nuk janë në Kombet e Bashkuara. Do të thotë, aty ka edhe ngjyrime politike, por mendoj se sporti nuk duhet t’i ketë ato shenja që janë të dëmshme për marrëdhëniet e popujve në tërësi”,
përfundon Alaj.

Lexoni edhe këto:

Presioni rus ndaj sportit kosovar
Bllokadat politike mbi sportin