Ndërlidhjet

Bllokadat politike mbi sportin


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Federata e Tenisit të Kosovës dhe zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë reaguar ndaj vendimit të Bordit Menaxhues të Tenisit Evropian për mospranimin e Kosovës në këtë mekanizëm evropian të sportit.



Vendimi i Bordit Menaxhues të Tenisit Evropian për të mos e pranuar aplikacionin e Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e ardhshëm të kësaj federate, që pritet të mbahet në mesin e muajit mars, ka ngjallur reagimet e Federatës së Tenisit të Kosovës dhe të institucioneve të larta qeveritare, përgjegjëse për sportin në Kosovë.

Shkëlzen Domi, kryetar i Federatës së Tenisit të Kosovës, tha se më 14 janar kjo federatë ka aplikuar për të marrë pjesë në Kuvendin e Tenisit Evropian dhe që në mbledhjen e këtij kuvendi të futet në rend të ditës pranimi i Kosovës në këtë trup sportiv evropian.

“Bordi i Tenisit Evropian, në mbledhjen e tij më 9 shkurt, është dashur të vendosë që si pikë të rendit të ditës, në Kuvendin që do të mbahet në mes të marsit në Riga të Latvisë, të fusë çështjen e pranimit të Kosovës në këtë trup”.

“Pas mbledhjes që e ka pasur në Bazel, Bordi i Tenisit Evropian na e ka kthyer letrën negativisht. Por, në letër është shumë e çuditshme se nuk shkruan se në bazë të cilës pikë nuk po na lejojnë të marrim pjesë në Kuvend në Riga, në mars”.

“Asnjë sqarim nuk ka. Ekziston fjalia ‘ne nuk mundemi të ndihmojmë lidhur me kërkesën e juaj’ dhe asgjë tjetër”
, sqaroi Domi.

Ai po ashtu tha se kërkesa e Federatës Kosovare të Tenisit për t’u anëtarësuar në Tenisin Evropian, nuk bie ndesh me parimet e kësaj federate, e cila përbëhet nga 49 vende.

Domi theksoi se, lidhur me këtë segment, nuk ka pasur vërejtje as në letrën e presidentit të Tenisit të Evropës, Zhak Dupre, e cila i është dërguar Federatës së Tenisit të Kosovës. Ai e quajti të padrejtë refuzimin ndaj Kosovës dhe e vlerësoi si shkelje të vetë statutit të Tenisit Evropian.

“Në momentin kur ne do të hynim në Kuvend, aty janë 49 shtete, të cilat votojnë, dhe ne nuk e dimë se a do të kalonim ose jo. Por, çështja është se Bordi i Tenisit Evropian nuk na ka lejuar që të hyjmë në Kuvend dhe me këtë shkelet statuti i tyre, sipas të cilit, në Kuvend ata janë të zgjedhur dhe duhet të punojnë sipas atij statuti, i cili është kushtetutë e tyre”.

“Kjo s’e ka asnjë arsyetim dhe nuk ka as përgjigje në letrën tonë, e që ne e kërkojmë arsyetimin se pse nuk na lejojnë të marrim pjesë në Kuvend”
, u shpreh Domi.

Ndaj vendimit të Bordit Menaxhues të Tenisit Evropian ka reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Ibër Alaj, drejtues i Departamentit të Sportit në këtë ministri, tha se, të shumtën e rasteve, pranimi i federatave të sporteve të ndryshme të Kosovës është bllokuar për shkaqe politike.

Sipas tij, parimet e federatave gjegjëse ndërkombëtare, anëtarësimin e kushtëzojnë me faktin që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. Por, për pranimin e Kosovës në Tenisin Evropian, Alaj tha se ekzistojnë kritere të tjera.

“Në bazë të statutit të Federatës Evropiane të Tenisit, nuk është e precizuar që të jetë patjetër anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara apo e Komitetit Olimpik Botëror”.

“Mirëpo, këtu i është bërë e padrejtë Federatës së Tenisit të Kosovës që të jetë anëtare e rregullt e Federatës së Tenisit të Evropës. Kështu që, sipas mendimit tonë, Federata e Tenisit Evropian nuk ka punuar në bazë të statutit të saj që e ka zyrtar
”, deklaroi Alaj.

Ai shtoi se reagimet lidhur me vendimin e Bordit Menaxhues të Tenisit Evropian do të kanalizohen përmes rrugëve diplomatike, për të ndikuar te vendet që përfaqësojnë këtë bord dhe që e kanë njohur Kosovën si shtet.

Sipas Alajt, kjo praktikë do të aplikohet edhe për pranimin e federatave të tjera kosovare të sporteve në mekanizmat gjegjës ndërkombëtarë.

Ne tashmë e kemi filluar një procedurë të re dhe përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme t’ua dërgojmë të gjitha shteteve që na kanë njohur”.

“Ato të bëjnë trysni në federatat e tyre që janë anëtare të federatave ndërkombëtare, që të na pranojnë me të drejta dhe në këtë mënyrë edhe sporti kosovar të jetë i pranuar ndërkombëtarisht”
, tha Alaj.

Sidoqoftë, në Bordin Menaxhues të Tenisit Evropian bëjnë pjesë përfaqësuesit e 10 shteteve evropiane, 8 prej të cilave tashmë e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG