Diversione politike ndaj serbëve

Mitrovicë

I ashtuquajturi Kuvend i Bashkësisë së Komunave Serbe në veriun e Kosovës ka kundërshtuar daljen e serbëve në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit dhe ka kërkuar nga Beogradi zyrtar që t’i shkarkojë nga detyrat dhe funksionet shtetërore dy politikanët e Kosovës qendrore: Rada Trajkoviqin dhe Rangjell Nojkiqin.

Kryetari i këtij organi, Radovan Niçiq, tha se kjo kërkesë bëhet për shkak të, siç u shpreh ai, paralajmërimeve të zotit Nojkiq dhe zonjës Trajkoviq për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.

“Kuvendi i Bashkësisë së Komunave në Kosovë pret që pushteti në Beograd t’i shkarkojë nga bartja e përgjegjësive dhe funksioneve shtetërore Rada Trajkoviqin dhe Rangjell Nojkiqin, udhëheqës të Listës serbe. Në këtë mënyrë, Beogradi duhet të tregojë se nuk qëndron pas daljes së tyre në zgjedhje”, u shpreh Niçiq.

Ndaj kërkesës së të ashtuquajturit Kuvend të Bashkësisë së Komunave Serbe kanë reaguar dy politikanët e përfolur serbë të Kosovës qendrore. Rangjell Nojkiq tha se kjo kërkesë vjen nga një grup njerëzish që po përpiqen t’i mbrojnë interesat e tyre personale. Ata, sipas Nojkiqit, nuk kanë fuqi relevante dhe nuk e përfaqësojnë askënd.

“Unë nuk brengosem për një deklaratë të tillë. Thjesht, ata që e kanë marrë këtë nismë, vetëm se duan ta mbrojnë kotësinë e tyre. Ajo që është thelbësore, është se me këto zgjedhje, Lista e përbashkët serbe do të marrë legjitimitetin dhe do të jetë relevante për të gjithë faktorët, për bashkësinë ndërkombëtare, për institucionet në Prishtinë, por edhe për Beogradin”, tha Nojkiq.

Ndërkaq, Rada Trajkoviq, gjithashtu politikane serbe nga Kosova qendrore, tha se ka mjaft indikacione se po bëhen presione dhe frikësime ndaj serbëve të veriut, që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Graçanicë (Foto arkivi)
“Realiteti me të cilin unë jam ballafaquar, është se një numër i madh i njerëzve nga veriu i Kosovës janë lajmëruar dhe kanë qenë krejtësisht të gatshëm që të hyjnë në Listë”.

“Ky fakt për mua ishte trimërues, por gjithmonë duke vlerësuar se në veri të Kosovës, fatkeqësisht, kemi një realitet të dhembshëm që nënkupton vazhdimësinë e diversioneve politike. Kjo është fjala më e butë që mund ta them për gjithë atë që po ngjan me njerëzit, të cilët mendojnë ndryshe”,
tha Trajkoviq.

Por, Oliver Ivanoviq, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën në kuadër të Qeverisë të Serbisë, tha se nuk beson se ka ndonjë presion ndaj serbëve të veriut, lidhur me pjesëmarrjen e tyre eventuale në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

“Atmosfera në veri të Kosovës është pak më ndryshe sesa në pjesët tjera, por kjo ende nuk do të thotë se bart kërcënim. Thjesht, në veri nuk ekziston interesi që në çfarëdo mënyre njerëzit të kyçen në institucionet e Kosovës”, deklaroi Ivanoviq.

Edhe Marko Jakshiq, njëri prej liderëve serbë në veriun e Kosovës, kundërshtoi akuzat se mbi banorët e kësaj pjese të vendit po ushtrohet presion dhe frikësim.

“Rrëfimet lidhur me atë se ka frikësime, janë të paqëndrueshme. Unë nuk e di dhe nuk kam dëgjuar se dikush i është kërcënuar dikujt lidhur me daljen në zgjedhje”.

“Unë personalisht mendoj se ekziston një vetëdije e lartë e serbëve në veri të Kosovës dhe për këtë arsye ata nuk do të dalin në zgjedhjet e shqiptarëve të Kosovës”
, u shpreh Jakshiq.

Në anën tjetër, një varg incidentesh, të cilat kanë ndodhur në veri muajve të fundit, kanë nxjerrë në pah dhunën, e cila është ushtruar ndaj disa serbëve në këtë pjesë të vendit. Ndër to janë edhe atentati mbi anëtarin e Partisë Liberale Serbe, Petar Milletiq, dhe plagosja e tij me armë zjarri, pastaj hedhja e bombës në garazhin e Momçillo Arllovit, përfaqësues i Qendrës për Zhvillimin e Shoqërisë Civile, si dhe tri sulmet me mjete plasëse në shtëpinë e serbit Dragan Stojkoviq në Zveçan, anëtar i Alternativës Demokratike.

Autorët e këtyre sulmeve ende kanë mbetur pa u zbardhur nga organet e drejtësisë.

Politikania serbe, Rada Trajkoviq, u shpreh e brengosur dhe e dëshpëruar me faktin se askush nuk ka ndërmarrë asgjë për mbrojtjen e këtyre njerëzve, të cilët, siç tha ajo, mendojnë ndryshe.

“Për mua është e dhembshme që nuk po formohet një lëvizje serbe, e cila do t’iu ofronte mbrojtje familjeve, veçanërisht familjes e cila është sulmuar për të tretën herë. Mua më vjen keq që lidershipi politik i serbëve të Kosovës, të gjithë ata nuk kanë trimëri dhe urtësi të mjaftueshme që t’iu dalin në ndihmë dhe t’i mbrojnë njerëzit që mendojnë ndryshe”.

“Ata nuk janë të detyruar t’ua mbrojnë politikën e tyre, por duke i mbrojtur ata njerëz, ata do ta mbrojnë atë që për ne duhet të jetë e ardhmja. Kjo e ardhme nënkupton demokracinë dhe një standard evropian”,
konkludoi Trajkoviq.

Lexoni edhe këto:
Çka ndikon tek elektorati?
Thirrje serbëve për dalje në zgjedhje