Ndërlidhjet

Çka ndikon tek elektorati?


Prishtinë
Prishtinë

Ekspertët e sociologjisë dhe psikologjisë paralajmërojnë se në daljen masive, ose jo, të qytetarëve në zgjedhje, do të ndikojnë një varg faktorësh socio-psikologjikë. Sociologu Shemsi Krasniqi thotë se motivi për dalje në zgjedhje ekziston te qytetarët, por ai përplaset me mosbesimin që është krijuar ndaj politikanëve. Ndërkaq, psikologu Dashamir Bërxulli, thotë se qytetarët kanë nevojë për ndjesinë e kontrollit socio-politik dhe se dalja në votime do të varet nga perceptimi se a do të jetë e rëndësishme vota e tyre, apo jo.


Ekzistojnë një varg faktorësh sociologjikë dhe psikologjikë, të cilët do të ndikojnë në motivimin e elektoratit kosovar për dalje masive, ose jo, të tyre në zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit në Kosovë, vlerësojnë ekspertët e këtyre dy fushave.

Ata thonë se shpërfaqja dhe përplasja e këtyre motiveve është evidente edhe tash, kur kanë mbetur më pak se tri javë deri në zgjedhje.

Sociologu Shemsi Krasniqi, profesor në Universitetin e Prishtinës, thotë se rreth 50 për qind e kosovarëve ballafaqohen me varfërinë, papunësinë dhe jetesën e vështirë. Mundësia për ndryshimin e kësaj gjendjeje, siç thotë ai, është motiv i mjaftueshëm për qytetarët që të dalin në zgjedhje.

Por, sipas Krasniqit, ky motiv përplaset me bindjen, e cila mbretëron te qytetarët se akterët aktualë të skenës politike nuk mund t’i sjellin ndryshimet e nevojshme.
Gjendja sociale, mënyra se si po e zhvillojnë jetesën njerëzit e thjeshtë, vërtet do të duhej të ishte motivuese për të dalë në zgjedhje dhe për të bërë ndryshime.

“Gjendja sociale, mënyra se si po e zhvillojnë jetesën njerëzit e thjeshtë, vërtet do të duhej të ishte motivuese për të dalë në zgjedhje dhe për të bërë ndryshime. Popullata, në masë të përgjithshme, është e varfër, në qoftë se 50 për qind e popullatës jetojnë në varfëri. Por, praktikat dhe sjelljet e deritashme të politikanëve janë shumë deprimuese. Është një pakënaqësi jashtëzakonisht e rritur te njerëzit, si dhe tashmë, një shkallë bukur e lartë e mosbesimit në ato premtimet për ndryshime dhe për përmirësime”,
thotë sociologu Krasniqi.

Edhe psikologu Dashamir Bërxulli, profesor në Universitetin e Prishtinës, vlerëson se në pjesëmarrjen masive të elektoratit në votime do të ndikojë, para së gjithash, besimi ose jo i tij në elitën politike aktuale në Kosovë, lidhur me mundësinë e ndryshimeve pozitive që mund t’i sjellë kjo elitë.

Gjithashtu, ai vlerëson se tek elektorati do të ndikojnë fuqishëm shenjat nëse do të ketë ose jo manipulim të votave të tyre.

“Nëse elektorati do të ketë perceptimin se vota e tyre nuk do të ketë rëndësi dhe partitë do të bëjnë si të duan vetë, apo do të vendosin ndërkombëtarët, atëherë kemi një mungesë të kontrollit socio-politik dhe ky do të jetë një mekanizëm frenues në daljen masive të njerëzve në zgjedhje”.

“Nga ana tjetër, nëse do të kemi një ndjesi sigurie se vota e njerëzve ka rëndësi, përkatësisht, ndjesia e kontrollit socio-politik do të rritet në përpjestim të drejtë me këtë siguri. Në këtë rast, natyrisht se dalja në votime do të jetë më masive, sepse ndryshimet do të dalin drejtpërdrejt nga votat e njerëzve”
, vlerëson psikologu Bërxulli.

Megjithatë, të dy këta ekspertë të fushave përkatëse, vlerësojnë se nuk do të ketë ndryshime thelbësore në daljen e elektoratit në votime, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Sociologu Krasniqi vlerëson se elektorati kosovar është në një lloj apatie dhe një gjë të tillë, sipas tij, e vërteton rënia graduale e përqindjes së daljes në votime, në proceset zgjedhore të kaluara.

“Pjesa më e madhe e elektoratit është në një lloj apatie, në një lloj pritjeje të çuditshme, të habitshme. Në njërën anë, është i zhgënjyer prej realitetit dhe ofertës së politikanëve dhe skenës politike. Në anën tjetër, njerëzit ende nuk e kanë kuptuar se vetë janë akterët që mund ta ndërrojnë situatën dhe duhet që, së paku, të aktivizohen, me format e përshtatshme të qytetarit, për ta ndryshuar situatën”.

“Nuk pres se do të ketë ndonjë dalje masive ose ndonjë ngritje shumë të dukshme të pjesëmarrjes në zgjedhje. Por, as rënie më tepër. Së paku, një ngecje”
, shpreh vlerësimin e tij sociologu Krasniqi.
Unë pres që të kemi një rritje në daljen e njerëzve në zgjedhje, për vetë faktin se kemi disa faktorë të rinj politikë...

Por, psikologu Bërxulli thekson se krahasuar me zgjedhjet e kaluara, numri i pjesëmarrësve në votime do të ngrihet.

“Unë pres që të kemi një rritje në daljen e njerëzve në zgjedhje, për vetë faktin se kemi disa faktorë të rinj politikë, të cilët kanë dalë në skenë. Janë disa lëvizje interesante që janë bërë në politikën e Kosovës, në skenën politike, të cilat do të sjellin një numër të caktuar rritjesh të votuesve. Sidoqoftë, nuk jam i sigurt që ky numër do të jetë aq shumë i madh sa të bëjë ndryshime thelbësore në konfiguracionin e skenës politike në Kosovë”,
thekson psikologu Bërxulli.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG