Thaçi: Bashkëpunim po, jo dialog me Serbinë

Kryeministri Hashim Thaçi

Opinioni pozitiv i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte përgjigjja më e mirë për gjithë botën për të drejtën e Kosovës, deklaroi kryeministri Hashim Thaçi, me t’u kthyer nga vizita disaditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Thaçi tha gjithashtu se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ishte një opinion i drejtë, në përputhshmëri me vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare.

“Këto ditë për Kosovën mund të themi si ishin ditë të të arriturave historike. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Kosovës për këto ditë të mëdha, për opinionin e GJND-së që ishte një opinion i drejtë, një opinion i shkëlqyer”.

“Prandaj, çdo qytetar i Kosovës duhet të ndjehet mirë, të ndjehet krenar dhe më i sigurt për të ardhmen e shtetit tonë, per të ardhmen në integrimet në NATO e BE, por edhe për të ardhmen zhvillimore ekonomike, si dhe për krijimin e rrethanave për mirëqenie sociale”,
tha Thaçi.

Kryeministri Thaçi falënderoi të gjithë mbështetësit e Kosovës dhe deklaroi se me opinionin e GJND-së, është hapur një kapitull i ri i perspektivës euro-atlantike.

Thaçi shprehu bindjen e plotë se numri i njohjeve për shtetin e Kosovës do të shtohet.

“Për Kosovën do të hapet perspektivë e re. Është hapur kapitulli i perspektivës euro-atlantike, i konsolidimit dhe fuqizimit të shtetit tonë. Presim edhe unifikimin e qëndrimit të të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, për të njohur shtetin e Kosovës. Asnjë vend në botë sot nuk ka arsye për të mos njohur Kosovën”,
u shpreh Thaçi.

Kryeministri Thaçi gjatë takimit me zëvendëspresidentin amerikan, Xho Bajden, në Uashington.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se ka marrë mbështetje të jashtëzakonshme nga Shtetet e Bashkuara për të arriturat e Kosovës. Ai shprehu bindjen se mbështetja e Amerikës do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

“Një mbështetje e jashtëzakonshme për të arriturat në Republikën e Kosovës, për reformat që jemi duke i bërë, për progresin e shumanshëm që kemi arritur në ndërtimin e Kosovës demokratike, shumetnike, për avancimin e statusit politik në kuptimin e njohjeve, por edhe për respektimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës".

"Mbështetja e administratës Obama në takimin me zëvendëspresidentin Bajden ishte një mbështetje unike, e jashtëzakonshme, e që do të vazhdojë edhe në të ardhmen”,
deklaroi Thaçi.

Gjatë takimit me zotin Xho Bajden, Thaçi tha se është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, si dhe për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike nga ana e institucioneve të Kosovës.

Mes tjerash, kryeministri kosovar deklaroi se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës po i vjen fundi.

“E kam theksuar edhe më herët, edhe më vjen tepër mirë që tani edhe miqtë amerikanë, edhe disa evropianë, janë shprehur, në dy ditët e fundit, se pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës po i vjen fundi dhe Kosova duhet të funksionojë si shtet sovran, i pavarur, me legjislacionin e vet dhe autoritetin udhëheqës, e, në të njëjten kohë, me mbështetje ndërkombëtare”.

“E kam theksuar se shumë fenomene apo shumë mekanizma, të cilët kanë funksionuar në Kosovë - duke vlerësuar rolin OKB-së në dhjetë vjetët e kaluar - janë të tejkaluar”,
tha Thaçi.

Kryeministri deklaroi se mendimi i GJND-së në favor të pavarësisë së Kosovës i ka dhënë fund çdo opsioni të Serbisë për bisedime për statusin apo ndarjen eventuale të Kosovës.

“Dua të theksoj se ne do të kemi bashkëpunim ndërshtetëror me Serbinë, por jo dialog për çështjet tona. Bashëkpunim po, jo dialog”, theksoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.