Ndërlidhjet

Bajden: Pavarësia e Kosovës, e pakthyeshme


Zëvendëspresidenti amerikan, Xho Bajden, në takim me kryeminsitrin Hashim Thaçi, ka rikonfirmuar qëndrimin e SHBA-ve se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.


Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është pritur sot në Shtëpinë e Bardhë nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, Xho Bajden.

Zoti Bajden e siguroi kryeministrin Thaçi se integriteti territorial i Kosovës mbetet i pacenueshëm dhe se rendi dhe ligji duhet të vendosen në tërë territorin e Kosovës, njoftoi kabineti i kryeministrit.

Në takim, kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëspresidenti Xho Bajden kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për proceset e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe për përmbushjen e të gjitha standardeve demokratike nga ana e institucioneve të Kosovës.

Kryeministri Thaçi në fillim shprehu konsideratën dhe mirënjohjen më të lartë për kontributin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë në procesin e çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës, si dhe tani në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe të përparimit të gjithëmbarshëm.

Zoti Thaçi, me këtë rast, ritheksoi qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të popullit të Kosovës për raporte të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim me zëvendëspresidentin amerikan, Xho Bajden, kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se pas marrjes së vendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të fillojë një valë e re e njohjeve për shtetin e Kosovës, duke dëshmuar kështu se pavarësia e Kosovës ka sjellë më shumë paqe, më shumë stabilitet dhe më shumë zhvillim për gjithë rajonin.

Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xho Bajden, shprehu konsideratën e lartë për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sundimin e rendit dhe ligjit në Kosovë, vendosmërinë në luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, për respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve dhe të proceseve tjera zhvillimore.

Në takim, zëvendëspresidenti amerikan, Bajden, ka rikonfirmuar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe se do të ketë vetëm ecje përpara drejt proceseve integruese dhe të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të gjitha vendeve të rajonit.

Zëvendëspresidenti Xho Bajden ka thënë se kryeministri Hashim Thaçi është Xhorxh Uashingtoni i Kosovës.

Zoti Bajden theksoi se e ardhmja e Kosovës është e sigurt në NATO dhe Bashkimin Evropian, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG