Haradinaj: Situata në veri po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, tha se situata në veri të Kosovës po bëhet gjithnjë e më serioze dhe më e komplikuar.
Në një konferencë për media më 27 dhjetor, ai tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq “duhet urgjentisht t’i tërheqë njerëzit e tij nga veriu, të urdhërojë heqjen e barrikadave dhe t’i kthehet tryezës së bisedimeve”.
“Logjika që me mjete ushtarake të krijohet pozicion më i fortë për marrëveshjen e ndërsjellë në raport me Kosovën është kapitull i mbyllur që në vitin 1999”.
Haradinaj tha po ashtu se “fatkeqësisht as [Albin] Kurti dhe njerëzit e tij nuk janë duke vepruar drejt”, të cilët sipas tij, me deklarimet e “tyre të pamatura e kanë komplikuar situatën”.
Ai ka shtuar se kryeministri i Kosovës nuk mund t’i vendosë afate apo kushte KFOR-it.
“Misioni i tyre në Kosovë është i qartë dhe i pastër si loti. Palë në Kosovë nuk janë as Uashnigtoni e as Brukseli. Ata janë aleatë të paqes dhe kryeministri duhet të heqë dorë nga retorika kundërshtuese e kushtëzuese ndaj tyre”, tha ai.
Vuçiq: Jemi duke bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se janë duke folur “me të gjithë” dhe janë duke “bërë gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin”, për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
Kështu deklaroi ai më 27 dhjetor, pas takimit me Patriarkun Porfirije.
Vuçiq nuk foli për arsyet e ngritjes së gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë, vendim të cilin e mori dje.
Presidenti serb pyeti se “kënd e shqetësojnë barrikadat në veri të Kosovës, kur askush nuk kalon nëpër ato rrugë, përveç serbëve, të cilët i përkrahin barrikadat si formë proteste dhe luftojnë për të drejtat dhe jetën e tyre”.
“Pse dikush në mënyrë histerike insiston në heqjen e barrikadave, sepse është e nevojshme që serbët të dëbohen nga veriu i Kosovës, sepse vetëm kështu e shohin zgjidhjen e problemit, si shqiptarët në Prishtinë ashtu edhe një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
Osmani reagon pas sulmeve ndaj gazetarëve në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas sulmeve ndaj gazetarëve që raportojnë nga veriu, duke thënë që ata po sulmohen nga "bandat kriminale të mbështetura nga [presidenti serb Aleksandar] Vuçiq, tregojnë qëllimet e vërteta të Beogradit për të fshehur të vërtetën".
Në një postim në rrjetin social Twitter, ajo tha se "udhëheqja e Serbisë mund të ketë ndryshuar që nga vitet '90, por qëllimet e tyre nuk kanë ndryshuar. Ata do të dështojnë. Demokracia dhe shteti i së drejtës do të mbizotërojnë".
Disa nga gazetarët që po raportojnë nga veriu i Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, kanë thënë më herët për REL-in se nuk kanë mbrojtje të duhur gjatë raportimit.
Që nga atëherë janë shënuar një numër i incidentesh, ku përveç gazetarëve janë sulmuar edhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, si EULEX dhe KFOR.
Vuçiq pas takimit me Ushtrinë e Serbisë thotë se beson në forcën dhe vendosmërinë serbe
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar me 27 dhjetor se ka vizituar disa njësi të Ushtrisë së Serbisë “diku midis Kralevës dhe Rashkës”, dhe paralajmëroi një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, por pa dhënë më shumë detaje.
Komuna e Rashkës në Serbi gjendet afër kufirit me Kosovën.
“Unë besoj në drejtësi dhe ligj, por më shumë se çdo gjë në urtësinë, por edhe forcën dhe vendosmërinë serbe”, shkroi ai në Instagram.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU