Ku janë barrikadat?
Grupe qytetarësh serbë, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur mbi dhjetë barrikada në veri të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë kah vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Këto janë disa nga vendet ku ndodhen barrikadat:
Bërnabiq: Rritja e gatishmërisë luftarake, për të mbrojtur serbët në Kosovë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërbaniq, komentoi urdhrin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë dhe policisë serbe.
“Ngritja e gatishmërisë së plotë luftarake do të thotë se ne jemi të gatshëm të reagojmë nëse dikush sulmon serbët në Kosovë”, tha Bërnabiq, më 27 dhjetor.
Ajo akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se ka “kërcënuar me heqjen e barrikadave me forcë”.
"Shpresoj se partnerët ndërkombëtarë do të kenë arsye të mjaftueshme për të mos lejuar këtë gjë. Serbët [në Kosovë] janë vetëm duke kërkuar sundimin në bazë të ligjit dhe të drejtat themelore të njeriut", tha Bërnabiq.
Ajo u pyet nga gazetarët që t'i përgjigjet spekulimeve të disa mediave pro-qeveritare serbe për ekzistencën e forcave të armatosura serbe në Kosovë, Bërnabiq tha se "ata që i kanë përmendur duhet t’i pyesin për këtë gjë".
E pyetur nëse e dinte se kishte forca të armatosura serbe në Kosovë, Bërnabiq tha se "nuk do të flas për këtë në këtë moment".
Sveçla mohon se Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se janë të pavërteta deklarimet se Kosova ka ngritur gjendjen e gatishmërisë ushtarake, duke akuzuar Serbinë se ka për synim “destabilizimin dhe luftën”.
Këto deklarata të Sveçlës vijnë pasi shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, deklaroi se Kosova ka rritur në nivelin më të lartë gatishmërinë luftarake të forcave të sigurisë, dhe sipas tij, ato ato po “përgatiten për të sulmuar popullin serb në barrikada”.
“Deklarimet se Republika e Kosovës ka ngritur gjendje gatishmërie janë tërësisht të pavërteta dhe janë pjesë e propagandës së dyshes Serbi- Rusi. Është pikërisht Serbia e ndikuar nga Rusia ajo që ka ngritur gjendje gatishmërie ushtarake, po urdhëron ngritjen e barrikadave të reja, për të arsyetuar dhe mbrojtur grupet kriminale që terrorizojnë në veçanti qytetarët e etnisë serbe që jetojnë në Kosovë”, tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.
*Lajmin e plotë mund ta gjeni KËTU
Protestë para Ambasadës serbe në Tiranë për shkak të situatës në veri të Kosovës
Disa qytetarë protestuan të martën para Ambasadës së Serbisë në Tiranë të Shqipërisë. Të nxitur nga situata në veri të Kosovës, qytetarët u mblodhën para Ambasadës serbe duke kërkuar zgjidhje për këtë situatë.
Me veshje kombëtare të trevave të ndryshme shqiptare, me flamuj të Shqipërisë, Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, protestuesit brohoritën slogane sikurse “Hiqni duart nga Kosova, Mitrovica është e jona”.
Protesta në Tiranë nisi me këndimin e himnit kombëtar shqiptar dhe përveç qytetarëve nga Shqipëria, në të morën pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Qytetarët e mbledhur thanë se po protestojnë kundër politikave “destabilizuese dhe luftënxitëse nga Serbia”.
Aktivistët e shoqërisë civile kërkuan nga Qeveria e Shqipërisë që të kushtëzojë marrëdhëniet me Serbinë dhe të ngrijë të gjitha marrëveshjet e nënshkruara midis dy shteteve.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU