Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
15:13 19.12.2022

Bislimi: Ka pasur plan ruso-serb që të digjej pika kufitare e Jarinjës

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka pasur “plan ruso-serb” që të dielën, më 18 dhjetor, të digjej pika kufitare e Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Sipas Bislimit, nga të dhënat e institucioneve të sigurisë, del se "autori i vërtetë" i ngjarjeve në Jarinjë ishte presidenti rus, Vladimir Putin.

Ai tha se plani për djegien e pikës kufitare u parandalua nga institucionet e sigurisë së Kosovës, në bashkëpunim “me partnerët perëndimorë, veçmas amerikanët”.

Në anën serbe të Jarinjës, më 18 dhjetor është mbajtur një protestë e thirrur nga grupet djathtiste serbe, në shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që disa serbë lokalë kanë ngritur në veri të Kosovës që nga 10 dhjetori.

“Pavarësisht se policia e Serbisë, dje u shfaq duke i ndaluar huliganët që mos ta djegin Jarinjën, ky quhet vetëm një akt tërheqjeje nga ana serbe, duke e parë se një gjë e tillë do t’iu dështonte”, shkroi Bislimi në Facebook.

16:08 19.12.2022

Policia raporton për situatë të njëjtë në veri të Kosovës

Policia e Kosovës tha se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e njëjtë, teksa dy pikëkalimet kufitare, Jarinjë dhe Bënjak, vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim.

Sipas policisë, nëntë barrikada vazhdojnë të jenë të ngritura në veri nga “persona/grupe kriminale”.

“Referuar situatës së krijuar, bllokimit të rrugëve, e rasteve/sulmeve të ndodhura nga grupet kriminale, kanë bërë që të krijohen rrethana të reja të punës e po ashtu kanë ndikuar edhe në jetën e qytetarëve të asaj zone, të cilët nuk po mund të kenë lëvizje të lirë si dhe nuk po e kanë qasjen e lehtë në shërbimet e tyre të nevojshme”, thuhet në njoftim.

Policia tha po ashtu se po punon që të parandalojë aktet kriminale, që sipas saj po “organizohen nga persona të përfshirë në grupe kriminale të organizuara nga brenda dhe jashtë Kosovës”.

Që nga 10 dhjetori, disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve në veri.

18:50 19.12.2022

Policia: Shpërthimi në Mitrovicë të Veriut, veprim i strukturave kriminale

Policia e Kosovës tha se thyerjet e xhamave të disa lokaleve në Mitrovicë të Veriut, dyshohet se janë shkaktuar nga shpërthimi i një shok bombe.

Sipas njoftimit, ngjarja ka ndodhur në orën 02:20 të 19 dhjetorit në udhëkryqin te Sholla Teknike në Mitrovicën e Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe.

“Sipas informacioneve fillestare dyshohet se shpërthimi mund të jetë veprim kriminal nga strukturat e organizuara kriminale dhe vazhdim i përpjekjeve për të ngritur tensione dhe destabilizim të situatës, në funksion të shtrirjes së ndjenjës së pasigurisë dhe frikës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës tha se si pasojë e këtij shpërthimi janë dëmtuar xhamat e katër lokaleve, në dy prej të cilave nuk janë funksionale.

Policia tha se ky njoftim vjen pas raportimeve në media lidhur me këtë ngjarje.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se thyerja e xhamave të bizneseve në Lagjen e Boshnjakëve – vendbanim i përzier etnikisht – është “sulm tinëzar nga ekstremistët”, që sipas tij, para pranisë ndërkombëtare treguan “qëllimet dhe natyrën e regjimit” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Petkoviq nuk ofroi prova për këto pretendime.

Ndërkaq, Policia e Kosovës tha se kundërshton “fushatat propaganduese të ditëve të fundit nga qarqet politike e mediat, kryesisht serbe” lidhur me ngjarjet në veri.

Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga 6 dhjetori janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore e shok bomba.

20:09 19.12.2022

OJQ-të, të shqetësuara “me shkeljet e rënda” të të drejtave të Dejan Pantiqit

Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Ato kanë argumentuar se Pantiqit po i shkelen të drejtat.

Përmes një njoftimi, këto organizata thanë se nga deklarimet e avokatit mbrojtës të Pantiqit, kanë mësuar se ai ende ndodhet në bazën e Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës dhe “as avokatët e as familjarët e tij nuk lejohen ta vizitojnë apo të kontaktojnë atë përmes telefonit”.

Institucionet e Kosovës nuk i janë përgjigjur më herët pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku po mbahet Pantiqi.

Sipas OJQ-ve, ai po mbahet jashtë qendrës së paraburgimit, në ambiente “që sigurisht nuk i plotësojnë standardet e paraburgimit as sipas rregulloreve në Kosovë apo konventave ndërkombëtare”.

“Kushtet e paraburgimit të tij, si dhe pamundësia e kontaktit me familjarët dhe mbrojtësit e tij, paraqesin shkelje të rëndë të të drejtave të tij njerëzore dhe kërkojnë përfshirjen urgjente të institucioneve kompetente në Kosovë, si dhe përfshirjen e misioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG