Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
10:20 19.12.2022

Përshëndetje të nderuar lexues,

Po e rikthejmë raportimin për zhvillimet në veri të Kosovës.

Faleminderit që na ndiqni!

10:22 19.12.2022

Dita e dhjetë e barrikadave në veri

Për të dhjetën ditë me radhë, grupe serbësh në veri të Kosovës janë duke bllokuar rrugët, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq.

Në barrikada e kanë për obligim të qëndrojnë edhe punonjësit e institucioneve publike, që funksionojnë nën sistemin e Serbisë.

I ashtuquajturi shtab i krizës paralajmëroi për sot kremtimin e festës ortodokse të Shën Nikollës te barrikadat në fshatin Rudarë.

Nxënësit e shkollave fillore, pas ndërprerjes së mësimit për një javë, nga sot janë në klasa, por me orë të shkurtuara në 30 minuta.

Nxënësit e shkollave të mesme do t’i ndjekin mësimet online.

Në veri të Mitrovicës është qetë, ndërsa vërehen patrullime të pjesëtarëve të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit evropian, EULEX.

Pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë të vendosur në pjesët multietnike të Mitrovicës së Veriut, si Mëhalla e Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejt.

Në sportelet e bankave që funksionojnë nën sistemin e Serbisë ka para, ndërsa disa bankomatë nuk janë në funksion, ose nuk janë rimbushur me para.

13:28 19.12.2022

Kurti: Barrikadat në veri nuk do të tolerohen gjatë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk do të lejohet që barrikadat në veri të qëndrojnë edhe shumë gjatë, dhe se për këtë temë janë në koordinim të rregullt me KFOR-in.

“KFOR-i ka kërkuar edhe pak kohë prej neve, pra ne jemi në, koordinim, në komunikim të rregullt të vazhdueshëm intensiv me KFOR-i dhe padyshim nuk do të mund të tolerohen shumë gjatë barrikada të tilla, por mos harroni ajo çfarë po bëjnë strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale tash së fundmi është fillimi i fazës së fundit të tyre. Shteti kurrë nuk ka qenë më në binarë”, tha ai.

14:45 19.12.2022

Sulmohet një ekip gazetarësh në Zubin Potok

Në afërsi të barrikadave të ngritura në Çabër të Zubin Potokut është sulmuar ekipi i gazetarëve të Klan Kosovës, bëri të ditur Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

Sipas AGK-së, në drejtim të gazetarëve janë hedhur gurë dhe ata janë “fyer dhe sharë” nga sulmuesit.

“AGK-ja sërish bën thirrje tek organet kompetente që të marrin masa për të siguruar gazetarët, njëherësh kërkojmë që të lejohen të bëjnë punën e tyre pa u penguar”, tha AGK-ja dhe shtoi se ky asociacion është i shqetësuar për sigurinë e gazetarëve që raportojnë nga veriu.

AGK-ja tha e ky është sulmi i tretë ndaj gazetarëve, që kur disa serbë lokalë nisën ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës më 10 dhjetor.

Barrikadat u ngritën në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.

Pantiq, sipas autoriteteve në Kosovë, dyshohet se ka organizuar “sulmin terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG