Protestë në anën serbe të Jarinjës në mbështetje të serbëve të Kosovës
Disa protestues kanë nisur të mblidhen të dielën afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, - në anën e territorit serb - si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.
Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.
Në mesin e tyre është edhe Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë "Patrulla Kombëtare" nga Serbia.
“Patrulla Kombëtare” njihet për veprimet e saj kundër emigrantëve, për glorifikimin e kriminelëve serbë të luftës dhe mbështetjen për Rusinë në luftën që zhvillon në Ukrainë.
Organizata është e lidhur me grupin e ekstremit të djathtë "Rusov" dhe grupin paraushtarak rus "Vagner", të cilin e ka vizituar së fundi në Rusi.
Në disa pamje të publikuara në platformat online, protestuesit dëgjohen duke insistuar që t’i afrohen pikës kufitare, ku shihen trupa të misionit të NATO-s, KFOR.
Përleshje mes Policisë dhe protestuesve në anën serbe të Jarinjës
Disa protestues serbë janë përleshur të dielën me forcat policore të Serbisë afër pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë, - në anën e territorit serb - teksa kanë protestuar si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Protestuesit kanë thyer kordonin policor, mirëpo zyrtarët policorë më pas kanë formuar një kordon të ri më afër kufirit.
Policia është parë duke e ndaluar një person.
“Kemi ardhur këtu që të tregojmë se atje është toka tonë. Nuk duam të përballemi me njerëzit tanë. Nuk e pranojmë marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë një protestues.
Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011.
Në kuadër të këtij procesi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian janë arritur disa marrëveshje.
Trupa amerikanë në kuadër të KFOR-it në Jarinjë
Në anën kosovare të kufirit në Jarinjë, shihen pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s, KFOR.
Përfundon protesta në anën serbe afër Jarinjës
Në anën serbe afër Jarinjës – pikëkalimit kufitar mes Kosovës dhe Serbisë – ka mbaruar një protestë e thirrur nga grupe djathtiste serbe, si shenjë mbështetjeje ndaj barrikadave që kanë ngritur serbët lokalë në veri të Kosovës.
Protestuesit janë shpërndarë pasi Policia serbe u ka thënë se do të lirojë një person që ka arrestuar në protestë.
Organizatorët e protestës kanë thënë se serbët në veri të Kosovës janë “në presion të madh” dhe që e kanë pasur të ndaluar që t’i bashkohen protestës së 18 dhjetorit.
Kur e kanë përmendur presionin, ata kanë kritikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
“Kemi dashur të shkojmë te KFOR-i, atje do të na ishin bashkëngjitur edhe disa persona tjerë, për t’i treguar KFOR-it që të largohet nga këtu, sepse nuk ka çfarë kërkon”.
Pjesëtarë amerikanë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR janë parë prezentë në anën kosovare të pikëkalimit në Jarinjë.
“Kjo është toka jonë dhe nuk pajtohemi me këto kalime administrative”, ka thënë, Damjan Knezheviq, kreu i grupit jozyrtar të ekstremit të djathtë "Patrulla Kombëtare" nga Serbia.
Ky grup e ka organizuar protestën dhe u ka bërë thirrje mbështetësve nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Serbe e Bosnjë – Hercegovinës, që t’iu bashkohen në afërsi të Jarinjës.