Trajkoviq lëshohet nga spitali
Rada Trajkoviq, këshilltarja e ministrit për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë se të shtunën është liruar nga spitali në Serbi dhe gjendja e saj është stabile.
Asaj i është përkeqësuar gjendja të premten, në kthim e sipër nga Kosova në Serbi dhe më pas është dërguar në spital me ambulancë.
Trajkoviq ka thënë se autoritetet serbe nuk ia kanë mundësuar hyrjen në Serbi dhe e kanë mbajtur për disa orë në kufi.
Rashiq ka shprehur shqetësim për gjendjen e saj, dhe i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të bisedojnë me zyrtarë të huaj për të mundësuar lëvizjen e saj të lirë.
Ai ka thënë se Trajkoviq vuan nga diabeti dhe ka nevojë të marrë terapinë në kohë.
“Faleminderit të gjithë aktorëve politikë në Kosovë dhe Serbi që kanë folur publikisht për torturën”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Përndryshe Rashiq është emëruar ministër pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – janë larguar nga institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Emërimi i Rashiqit dhe Trajkoviqit është kritikuar nga Beogradi zyrtar.
Lista Serbe: Sveçla nuk është i mirëpritur në veri
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, ka thënë se vizita e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Bërnjak, është provokim “me qëllim të përshkallëzimit të situatës në terren”.
Katër komunat në veri të Kosovës - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan - janë të banuara me shumicë serbe.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 10 dhjetorit, kur serbët lokalë kanë ngritur barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Ministri Sveçla, ka njoftuar të shtunën, përmes llogarisë së tij në Facebook, se ka qëndruar në mbrëmjen e 16 dhjetorit në Bërnjak, së bashku me zyrtarët e Policisë së Kosovës të angazhuar atje.
“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për t’i larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat”, ka thënë Sveçla.
Lista Serbe ka thënë se Sveçla “nuk është i mirëpritur në komunat serbe në veri të Kosovës” dhe se “nuk ka çfarë të kërkojë në rajonet tona”.
Përshëndetje lexues të nderuar,
E diela shënon ditën e nëntë prej kur janë ngritur barrikadat në veri të Kosovës.
Pavarësisht thirrjeve të Kosovës për heqjen e tyre, ato vazhdojnë të jenë aty.
Në këtë blog do të mund të gjeni të gjitha informacionet për këtë temë.
KFOR-i paralajmëron stërvitje të rregullta në Novosellë
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë.
Sipas një njoftimi për media, stërvitjet synojnë të trajnojnë njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash dhe 'konsistojnë në një seri të simulimeve taktike dhe aktiviteteve logjistike, përfshirë pajisje të rënda dhe helikopterë".
Njoftimi për këto stërvitje vjen në kohën kur autoritetet e Kosovës bëjnë thirrje për heqjen e barrikadave të ngritura nga serbët lokalë në veri të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur më 16 dhjetor se e ka shtuar numrin e ekipeve patrulluese në veri.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pantiq dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Komunat veriore - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - janë të banuara me shumicë serbe.