Ndërlidhjet

Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.
Njerëz me maska në afërsi të barrikadës në Mitrovicën e Veriut. 29 dhjetor 2022.

Kurti për largimin e barrikadave: Vetë i vunë, vetë i hoqën

  • Largimi i barrikadave në veri të Kosovës nisi pasditen e 29 dhjetorit.
  • Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, kanë ngritur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
  • Kjo ka qenë përgjigjja e tyre ndaj arrestimit të ish-policit serb, Dejan Pantiq, nga autoritetet e rendit në Kosovë. Atij fillimisht i është shqiptuar masa e paraburgimit prej një muaji, ndërsa më vonë është dërguar në arrest shtëpiak.
  • Pantiq dyshohet se organizoi “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
  • Largimi i barrikadave nisi pas një takimi që presidenti i Serbisë zhvilloi me disa përfaqësues të serbëve në Kosovë dhe tha se ka marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar se kërkesat e tyre do të plotësohen.
09:07 16.12.2022

Rashiq shprehet i shqetësuar për gjendjen e Trajkoviqit

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është shprehur i shqetësuar për gjendjen e këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, e cila ka thënë se është ndaluar nga policia serbe, si më 15 dhjetor, kur ka tentuar të hyjë në Kosovë, ashtu edhe më 16 dhjetor kur ka tentuar të dalë nga ky shtet.

Ajo ka thënë se policia serbe e ka ndaluar për disa orë në pikën kufitare në Merdare dhe ia ka “konfiskuar dokumentet”.

Ministri Rashiq ka thënë në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës se Trajkoviq është me diabet dhe duhet të ketë trajtim të duhur për këtë sëmundje.

Ai ka bërë thirrje që autoritetet në Kosovë të njoftojnë shtetet e QUINT-it për këtë situatë.

Shtetet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i vjen keq për diçka të tillë dhe ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme është e angazhuar në këtë drejtim.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se është duke komunikuar me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të QUINT-it, dhe se beson që Trajkoviq do të mund të udhëtojë brenda një kohe të shkurtër.

12:11 16.12.2022

Raportohet se KFOR-it i është dorëzuar kërkesa për trupat serbe në Kosovë

Radiotelevizioni i Serbisë ka raportuar të premten se misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është dorëzuar kërkesa për dërgimin e pjesëtarëve të forcave serbe të sigurisë në territorin e Kosovës.

Sipas raportimeve, kërkesa është bërë në Merdare, një prej pikëkalimeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur të enjten se Qeveria e Serbisë do t’ia nisë KFOR-it këtë kërkesë në formë elektronike.

Sipas tij, bëhet fjalë për kthimin e 100 deri në 1.000 trupave të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Ai ka paralajmëruar se të nesërmen (16 dhjetor) kërkesa e njëjtë do të dërgohet edhe në kufirin me Kosovën.

Beogradi e ka marrë këtë vendim pas pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në rajonin verior.

Beogradi zyrtar e arsyeton këtë kërkesë duke iu referuar Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

Vetë Vuçiq ka thënë se pret që kërkesa të mos i pranohet, duke u bazuar në mesazhet që kanë dhënë zyrtarët ndërkombëtarë ditëve të fundit.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka garanci shumë të forta të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara.

Ai ka deklaruar po ashtu se SHBA-ja e kundërshton dhe e refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e Serbisë për kthimin e forcave të saj në Kosovë.

12:47 16.12.2022

Shea: Serbisë do t’i refuzohet kërkesa, por është mirë që nuk veproi pa bërë kërkesë

Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, është i bindur se Serbisë nuk do t’i aprovohet kërkesa për kthimin e ushtarëve dhe policëve në Kosovë, megjithatë shprehet i kënaqur që të paktën Serbia ka vendosur të bëjë kërkesë dhe jo të veprojë në mënyrë unilaterale.

“Është më mirë që Serbia, publikisht dhe në mënyrë transparente, i ka kërkuar KFOR-it t’i kthejë trupat në Kosovë e jo ta bëjë këtë në mënyrë unilaterale, apo sekrete, pasi kjo do të ishte ekstremisht provokuese në rrethanat aktuale”, thotë Shea për Radion Evropa e Lirë.

Ai beson se edhe vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është i vetëdijshëm se kjo kërkesë nuk do t’i aprovohet, por thotë se ky është një “veprim politik, sepse ndoshta ai [Vuçiq] ndjen se mund ta arrijë një fitore në marrëdhënie me publikun, pa e ndryshuar realisht situatën në terren”.

Vuçiq ka thënë se Serbia është duke kërkuar kthimin e 100 deri në 1.000 trupave në Kosovë, “sipas Rezolutës 1244” të Kombeve të Bashkuara.

Shea – i cili ishte zëdhënës i NATO-s gjatë luftës në Kosovë – thotë se kjo rezolutë ia lejon Serbisë të kërkojë kthimin e trupave, por vetëm në rrethana të caktuara.

“... në rrethana të caktuara, kryesisht sa u përket kontrolleve kufitare. Ideja ishte që të ketë koordinim në kufi për të parandaluar incidente, për të luftuar vjedhjet, trafikimin ilegal, për mbrojtjen e minoriteteve, të monumenteve”, thotë Shea.

Britaniku, i cili ishte pjesë e NATO-s deri në pensionimin e tij në vitin 2018, shton se kthimi i trupave serbe në Kosovë do të lejohej vetëm “nëse ndihmon në qetësimin e situatës”.

“Është shumë e rëndësishme që KFOR-i vendos nëse kjo do të jetë e dobishme apo jo. Dhe në atmosferën aktuale, qartësisht të tensionuar mes Prishtinës dhe komunitetit serb të Kosovës, rrethanat aktuale janë dukshëm në të kundërtën – një gjë e tillë do ta përshkallëzonte situatën”, shprehet Shea.

Ai përkrahi përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar në kërkesën që vetë serbët lokalë t’i largojnë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor në veri dhe iu bashkua thirrjeve që Kosova dhe Serbia të angazhohen për arritjen e një marrëveshjeje në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Fatkeqësisht, sot në veri të Kosovës ka ende njerëz me pikëpamje shumë ekstreme, radikale, që nuk duan të bëhet asnjë lloj përparimi, dhe stagnimi aktual, meqë çon në dhunë, i përshtatet më shumë agjendës së tyre”, shtoi ish-zëdhënësi i NATO-s.

Jamie Shea.
Jamie Shea.

15:14 16.12.2022

EULEX konfirmon se i është kërkuar të ndërmjetësojë transferimin e Pantiqit


Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë kërkesë nga institucionet e Kosovës për të lehtësuar transferimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq.

“Në linjë me mandatin e tij, EULEX po monitoron rastin e D.P”, u tha në përgjigje.

Dejan Pantiq, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar “sulmin terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më 6 dhjetor.

Ndaj tij, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.

Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë të ditur se ku po mbahet Pantiqi. As EULEX-i nuk ka bërë të ditur se ku po mbahet ai ose si do të veprojnë lidhur me kërkesën për transferimin e tij.

EULEX tha po ashtu tha se përveç Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale dhe Gjykatës Themelore në Prishtinë, ky mision është në kontakt edhe me avokatin e Pantiqit, “i cili ka kërkuar nga misioni që ta monitorojë rastin”.

“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, u tha në përgjigje.

*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG