KFOR: Po shqyrtojmë kërkesën e Serbisë për dislokimin e trupave
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka pranuar kërkesë nga Serbia lidhur me dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.
“Aktualisht jemi duke e shqyrtuar” këtë kërkesë, u tha në përgjigjen e KFOR-it dërguar Radios Evropa e Lirë.
“KFOR vazhdon të jetë jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë të përmbushë misionin e tij që derivon nga Kombet e Bashkuara”, shtoi ky mision.
Më 15 dhjetor, autoritetet në Serbi bënë të ditur se kanë vendosur që t’i drejtohen KFOR-it me kërkesë për dislokimin e trupave në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është e qartë se kërkesa do të refuzohet.
Serbia këtë kërkesë e ka bërë duke u thirrur në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, teksa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit.
Policia mohon se ka arrestuar një ish-polic serb
Policia e Kosovës ka mohuar se një ish-pjesëtar serb i këtij institucioni është arrestuar në Mitrovicë të Veriut.
Sipas një njoftimi për media, Policia i cilësoi këto informacione si “spekulime nga disa mediume serbe”.
“Spekulimet e radhës nga mediumet serbe janë se kinse Policia e Kosovës edhe sot ka arrestuar një person [ish-policin Z.M] në Mitrovicë Veri, si dhe kinse Policia e Kosovës, në veri të vendit ka penguar punonjësit e elektrodistribucionit për të kryer riparime të një defekti në rrjetin elektrik”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia shtoi se nuk ka informacione zyrtare për këtë arrestim, e as për pengimin e ndonjë punonjësi në veri që kryen detyra zyrtare.
Ky reagim i Policisë së Kosovës vjen pasi disa media serbe raportuan se një ish-pjesëtar i Policisë, i identifikuar si Zoran Mihajlloviq, u arrestua në Mitrovicë të Veriut më 16 dhjetor.
*Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU
KFOR: Kemi rritur numrin e trupave në veri të Kosovës
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë kësaj jave ka dërguar trupa shtesë dhe patrulla në veri të Kosovës.
“Ne po e monitorojmë nga afër situatën në veri të Kosovës. KFOR-i ka aftësi dhe personel për të ofruar mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në bazë të mandatit tonë që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha KFOR përmes një reagimi.
KFOR tha se rritja e prezencës ushtarake ka nisur që nga muaji tetor.
KFOR tha se pret që të gjitha palët të koordinohen nga afër me këtë mision dhe të përmbahen “nga shfaqjet provokuese të forcës”.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në mënyrë konstruktive për të ofruar siguri dhe liri të lëvizjes në Kosovë. Zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut”, u tha në reagimin e KFOR-it.
Të nderuar lexues, këtu po e përmbyllim raportimin e drejtpërdrejtë për zhvillimet në veri të Kosovës.
Rikthehemi sërish gjatë së shtunës.
Faleminderit që ishit me ne!