Pamje nga fshati Rudarë
Korrespondentët e REL-it në terren sjellin disa fotografi nga fshati Rudarë, Komuna e Zveçanit, ku disa qytetarë duken duke qëndruar në rrugë pranë barrikadave.
Stradner: Rusia me strategji të përshkallëzimit të konfliktit Kosovë-Serbi
Situata në veri të Kosovës, për dallim nga herët tjera, është më serioze dhe mund të përshkallëzohet për shkak të provokimeve shtesë, si nga Beogradi, ashtu edhe nga ndikimi rus, thotë Ivana Stradner, bashkëpunëtore shkencore në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington.
Sipas saj, NATO-ja duhet të përdorë retorikën që do t’ia bëjë të ditur Serbisë dhe Rusisë se “nuk është lodër”.
Intervistën e plotë dhënë Radios Evropa e Lirë mund ta lexoni këtu.
Shkollat nën sistemin serb nuk punojnë
Ekipi i Radios Evropa e Lirë në terren raporton se shkollat në veri të Kosovës, të cilat funksionojnë nën sistemin e Serbisë, nuk janë duke punuar as sot, për shkak të, siç thuhet, “situatës së sigurisë”.
Këto shkolla nuk punuan as të hënën.
Në Mitrovicën e Veriut janë mbyllur edhe objektet e hotelerisë.
Njësitet patrulluese të misionit të NATO-s, KFOR, dhe të misionit të BE-së, EULEX, janë të pranishme në terren, ndërsa Policia e Kosovës është e stacionuar kryesisht në Mëhallën multietnike të Boshnjakëve - Komuna e Mitrovicës së Veriut.
Çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore, thotë KFOR
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se rruga e vetme për paqe të qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë është zgjidhja e problemeve me dialog, duke respektuar të drejtat e të gjitha komuniteteve.
“Është e rëndësishme të shmanget çdo përshkallëzim i ri [i situatës] dhe çështja të zgjidhet në mënyrë paqësore, sepse dhuna nuk ka vend në rajon”, tha KFOR-i në një postim në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 11 dhjetor se ka kërkuar nga KFOR-i të sigurojë lirinë e lëvizjes, por se përfaqësuesit e këtij misioni ndërkombëtar kanë kërkuar kohë për heqjen e barrikadave.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se, më 15 dhjetor, do t’i dërgojë një kërkesë KFOR-it për vendosjen e 1.000 trupave serbe në territorin e Kosovës, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
KFOR-i nuk i është përgjigjur kërkesës së REL-it për të komentuar këtë paralajmërim.