Çfarë thuhet në Rezolutën 1244, në bazë të së cilës Serbia paralajmëron kërkesën për dërgimin e trupave në Kosovë?
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.
Rakiq kërkon lirimin e serbëve të arrestuar
Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - kërkoi lirimin e, siç tha, serbëve të arrestuar “padrejtësisht” në veri të Kosovës.
Arrestimi i një ish-polici serb të shtunën u bë edhe shkas i barrikadave që ngritën disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Duke folur nga barrikadat në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, Rakiq tha se populli serb “do paqe”.
“Ne kërkojmë që qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht, të lirohen, dhe që [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti t’i tërheqë njësitet që i dërgoi në veri, të ndalojë keqtrajtimin e fëmijëve tanë dhe të ndalojë ndjekjen e serbëve”, tha Rakiq, duke mos sjellë asnjë provë për këto pretendime.
Një ditë më herët, ai po ashtu tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
Këto pretendime u hodhën poshtë nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Absolutisht e pavërtetë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë
Ministri serb i Mbrojtjes viziton pjesëtarët e ushtrisë serbe në Rashkë
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, ka arritur të hënën në Rashkë, ku do të vizitojë pjesëtarët e ushtrisë serbe që janë të stacionuar në atë zonë.
Rashka është qytet në Serbi që gjendet afër Jarinjës - pikë kufitare që ndan Kosovën me Serbinë.
Zëvendës-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Petar Cvetkoviq, është thënë të ketë informuar ministrin për situatën aktuale në terren.
Proces mësimor i pjesshëm në shkollën "Aziz Sylejmani" në veri
Si pasojë e shqetësimeve për sigurinë, procesi mësimor është mbajtur pjesërisht të hënën në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në lagjen Kodra e Minatorëve në veri, ka thënë drejtori i këtij institucioni, Flamur Gacaferri, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Më herët gjatë ditës së hënë, drejtori i shkollës fillore “Sveti Sava” në Mitrovicën e Veriut, Miodrag Jovanoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se shkollat fillore dhe të mesme në veri të Kosovës nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.
"Sot mësimi është mbajtur vetëm me ciklin e ulët, nga klasa e parë deri të pestën, kurse me nxënësit më të rritur, nga klasa gjashtë deri të nëntën nuk është mbajtur. Prindërit i kanë tërhequr fëmijët e rritur nga Kodra në pjesën jugore të Mitrovicës,” ka thënë Gacaferri.
Në shkollën "Aziz Sylejmani" procesin mësimor e vijojnë 17 nxënës shqiptarë.
Ndërkohë, nënkryetari i Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka thënë se mësimi është duke u zhvilluar normalisht në fshatrat e kësaj komune të banuara me shumicë shqiptare.
Ai ka thënë se është duke u koordinuar me autoritetet e sigurisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit mësimor.
“Nëse rekomandohet nga organet e sigurisë se mësimi duhet të ndërpritet, ne do marrim një vendim të tillë. Natyrisht që qytetarët janë më të shqetësuar për sigurinë e tyre, por që mësimi është duke vazhduar”, ka thënë mes tjerash ai.