Konjufca: S’do të lejojmë që Vuçiqi, përmes bandave kriminale të komandojë në Kosovë
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të hënën se rajoni i Ballkanit nuk është imun nga ndikimet e Rusisë, dhe kjo vërehet në veprimet e Serbisë gjatë ditëve të fundit në Kosovë.
Ai i ka bërë këto deklarata pasi takimit që ka zhvilluar me homologun e tij në Shkup, Talat Xhaferi.
“Veprimet e Serbisë janë të papranueshme, ato kanë për qëllim destabilizimin dhe ndarjen de-facto të shtetit të Kosovës. Ne, si popull, qëndrojmë shumë të bashkuar që t’i luftojmë këto veprime, të cilat kanë si prapavijë gjeopolitike ndikimin rus dhe fuqishëm do të ecim në shtetin demokratik të Kosovës për sundim të ligjit dhe për demokraci në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Kosova është e përcaktuar për zgjidhjen e problemeve përmes dialogut”, ka theksuar në Shkup, Konjufca, duke komentuar zhvillimet në Kosovë.
Materialin e plotë e gjeni këtu.
Von Cramon bën thirrje për largimin e barrikadave në veri
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se rikthimi i paqes dhe stabilitetit në veri të Kosovës, duhet të jenë prioritet.
“Sidomos, sulmet ndaj misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, janë plotësisht të papranueshme”, ka thënë ajo përmes një postimi në Twitter.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur më 11 dhjetor se misioni i BE-së në Kosovë, ka raportuar që është sulmuar me shok bombë në fshatin Rudarë të Zveçanit.
Ajo i ka quajtur të papranueshme edhe njoftimet e autoriteteve të Serbisë se do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, për angazhim të trupave në Kosovë.
Von Cramon ka thënë se pret që të largohen barrikadat e krijuara nga serbët lokalë të Kosovës, si shenjë e uljes së tensioneve.
“Mbështes plotësisht dialogun e përkrahur nga Bashkimi Evropian”, ka thënë mes tjerash ajo.
Barrikadat “duhet të hiqen, çfarë na duhen”
Me gjithë përpjekjet e Radios Evropa e Lirë, pak qytetarë në Mitrovicë të Veriut deshën të flasin publikisht për barrikadat e ngritura në pjesën veriore të Kosovës nga disa grupe serbësh. Ata që folën në mënyrë anonime, thanë se u duhet lëvizje e lirë.