SHBA: Arrestimi po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve
Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura.
Nga e shtuna pasdite, disa serbë lokalë ngritën disa barrikada në komunat Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok në veri të Kosovës dhe bllokuan disa rrugë. Ata ndërmorën këtë veprim pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të përbashkët për media, ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se “ky arrestim po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve, si dhe për kërcënime dhe frikësime të autoriteteve kosovare dhe popullatës lokale”.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të marrin masa të menjëhershme për të shtensionuar situatën dhe të përmbahen nga aktet provokuese. Ne i nxisim palët që të punojnë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për t’i zgjidhur çështjet përkatëse”, thuhet në deklaratën e lëshuar të dielën pasdite.
Aty, po ashtu, shprehet mbështetje për misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe për misionin evropian për sundimin e ligjit, EULEX.
Qeveria demanton pretendimet e Rakiqit se forca speciale po përgatiten të hyjnë në veri
Qeveria e Kosovës i hodhi poshtë pretendimet e Listës Serbe - partisë më të madhe të serbëve në Kosovë - se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale, ROSU, “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
“Absolutisht e pavërtetë”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, për Radion Evropa e Lirë.
Shpikjet e tilla, sipas tij, kanë për qëllim “arsyetimin dhe mirëmbajtjen e barrikadave në veri të vendit”, të cilat “duhet të largohen menjëherë”.
Më herët, udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se në bazë të informacioneve që ka, Kurti do të dërgojë të dielën mbrëma forca të armatosura, përfshirë njësinë speciale, në veri të Kosovës, “për të përndjekur popullin tonë”.
Vuçiq: Beogradi nuk i urdhëroi barrikadat
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se u kërkon shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë që të ruajnë paqen dhe të shtensionojnë situatën.
“U bëj thirrje serbëve në veri [të Kosovës] që të jenë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve”, tha ai pas një takimi të Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë.
Vuçiq tha se “është i tronditur me deklaratat e disa zyrtarëve evropianë që kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave”.
“Askush prej Beogradit nuk i ka urdhëruar barrikadat”, tha ai.
Vuçiq porositi serbët në veri se sulmet mbi misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe atë të BE-së, EULEX, “nuk guxojnë të ndodhin”.
Ai tha se ka marrë garanci nga KFOR-i dhe Evropa se “nuk do të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër demonstruesve”.
“Do të vazhdojmë të bisedojmë me ta”, tha Vuçiq.