Ministrja gjermane: Retorika e Serbisë rrit tensionet në Kosovë
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, tha se paralajmërimet e Serbisë për shqyrtimin e dërgimit të forcave të saj në Kosovë, janë “krejtësisht të papranushme”.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Në një postim në Twitter, Baerbock tha se Kosova i ka ulur tensionet me shtyrjen e zgjedhjeve, por retorika e fundit e Serbisë, sipas saj, bën të kundërtën.
Ministrja gjermane tha se janë “të papranueshme” edhe sulmet mbi misionin e BE-së në Kosovë, EULEX.
Të nderuar lexues, këtu e ndërpresim mbulimin direkt të zhvillimeve në veri të Kosovës, për të vazhduar paraditen e së hënës.
Faleminderit që përcillni Radion Evropa e Lirë.
Mirëmëngjesi të nderuar lexues!
REL do të vazhdojë edhe sot mbulimin e drejtpërdrejtë të zhvillimeve në veri të Kosovës.
Në këtë zonë, qysh më 10 dhjetor, disa grupe të serbëve lokalë kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ata e kanë ndërmarrë këtë veprim pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-policin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet për përfshirje në sulme kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës dhe atyre policorë.
Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, ashtu si edhe ata nga komuniteti ndërkombëtar kanë bërë thirrje për largimin e barrikadave.
Na ndiqni për zhvillimet më të reja gjatë ditës së sotme.
Kështu është dukur një nga rrugët e bllokuara në veri të Kosovës, mbrëmjen e 11 dhjetorit: