Ambasada e Italisë: Sulmet ndaj PK-së dhe EULEX-it nuk kanë asnjë justifikim
Ambasada e Italisë në Kosovë e ka dënuar sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it në Rudarë, në veri të Kosovës.
“Sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, si EULEX, nuk kanë asnjë justifikim. Ne i dënojmë këto veprime në mënyrën më të ashpër”, thuhet në reagimin e Ambasadës italiane.
Kurti u kërkon serbëve lokalë që të distancohen nga Vuçiqi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të dielën se serbët janë qytetarë të Kosovës dhe se ata duhet të distancohen nga grupet kriminale dhe "regjimi i [Aleksandar] Vuçiqit, i cili i financon dhe kërkon luftë”.
Ai akuzoi Serbinë se dëshiron të kërcënojë integritetin territorial të Kosovës dhe se dëshiron të destabilizojë gjithë rajonin e Ballkanit.
Kurti tha se të gjitha institucionet e Kosovës do të jenë vigjilente për të mundësuar vendosjen e paqes, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se mbrëmjen e 10 dhjetorit janë ngritur gjashtë barrikada në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ai tha se pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë ende të mbyllura për arsye sigurie.
Sipas tij, barrikadat janë vendosur pas arrestimit të ish-polici i PK-së, Dejan Pantiq, me arsye, siç tha ai, pengimin që Pantiq të dërgohej në jug, pas caktimit të masës së ndalimit prej 48-orësh.
Ai tha gjithashtu se mbrëmjen e 10 dhjetorit është shkëmbyer zjarr afër digës së Ujmanit.
“Në disa lokacione janë hedhur shok-bomba, ndërsa njësitet policore kanë shkëmbyer zjarr me disa grupe kriminale pas një sërë sulmesh të organizuara nga këto grupe, pranë digës së liqenit të Ujmanit. Pas shkëmbimit të zjarrit situata është vënë nën kontroll dhe është nën vëzhgim shtesë”.
Kurti kërkon nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga KFOR-i që të garantojë lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës.
“KFOR-i po kërkon pak kohë që ta kryejë këtë punë [heqjen e barrikadave] dhe ne po presim”, tha ai pas takimit me Këshillin e Sigurisë së Kosovës.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se nëse barrikadat nuk hiqen, atëherë do të merren veprimet e duhura, por pa dhënë detaje se për çfarë veprimesh bëhet fjalë.
Ai tha se janë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe se “shumë shpejt do të mbërrijmë në situatën kur nuk do të ketë më barrikada në veri”.
Zëdhënësja e NATO-s dënon sulmin ndaj EULEX-it
Për sulmin me shok-bombë ndaj një patrulle të EULEX-it në Rudarë, ka reaguar edhe zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.
Ajo ka thënë se NATO bashkohet me aleatët e saj dhe Bashkimin Evropian që dënojnë fuqishëm sulmin e mbrëmshëm.
“Çdo sulm i tillë është i papranueshëm dhe kryesit duhet të mbajnë përgjegjësi”.
Ajo ka thënë që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, mbetet jashtëzakonisht vigjilent dhe plotësisht i aftë për të kryer mandatin që ka.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet dhe retorikën provokuese dhe të kontribuojnë për qetësinë dhe stabilitetin”, ka shkruar ajo në Twitter.