Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara
Mirëmëngjesi të nderuar lexues. Po e rinisim mbulimin e drejtpërdrejtë të ngjarjeve në veri të Kosovës.
Mëngjesi i së dielës është i qetë në veri të vendit, por rrugët vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Kështu i tha Radios Evropa e Lirë - drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti.
Për situatë të qetë raportojnë edhe gazetarët e REL-it nga terreni.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën. Ndërsa pak njerëz shihen aktualisht në barrikadën në Rudarë të Zveçanit.
Pasditen e 10 dhjetorit në Rudarë, serbët lokalë u mblodhën në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb. Ata vendosën barrikada në këtë vend.
Si rrjedhojë, Policia e Kosovës mbylli rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë, duke e konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë.
Vuçiq: Nuk ka dhe nuk do të ketë dorëzim
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se mesazhi i tij për serbët nga Kosova është se “nuk ka dorëzim dhe nuk do të ketë dorëzim”, duke shtuar se ata janë “detyruar [t’i ngrinin] barrikadat”.
“Mesazhi për të gjithë të tjerët është që të formohet Asociacioni [i komunave me shumicë serbe], të respektohen të drejtat dhe liritë e serbëve dhe të sillen në përputhje me marrëveshjet e nënshkruara dhe të drejtën ndërkombëtare, sepse kjo është mënyra e vetme për të filluar normalizimin e marrëdhënieve”, shkroi ai në Instagram më 11 dhjetor.
Vuçiq shtoi se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën për paqe me të gjitha mjetet ligjore”.
Sulm me shok bombë ndaj patrullës së EULEX-it në veri
Një shok-bombë (bombë çorientuese) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e dhjetorit, në afërsi të Rudares, njofton ky mision.
"Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale", thuhet në njoftimin për media të 11 dhjetorit.
KFOR-i dhe EULEX-i janë duke e monitoruar situatën në veri të vendit.
Hovenier: Sulmet mbi EULEX-in dhe Policinë e Kosovës janë të papranueshme
Sulmin me shok bombë ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it e ka dënuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një postimi në Twitter. Ai ka kërkuar që përgjegjësit të ndëshkohen.
“SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.