Kurti: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur kërkesës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se Kosova “do të mbrohet – me forcë dhe vendosmëri”.
Vuçiq paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.
Kurti i ka quajtur këto deklarata të Vuçiqit kërcënime me agresion ushtarak.
“Presidentja dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet - me forcë dhe vendosmëri”, shkroi Kurti në Twitter.
Mblidhet Këshilli i Sigurisë i Kosovës
Në njoftimin për media të Zyrës së Kryeministrit thuhet se të dielen mblidhet Këshilli i Sigurisë i Kosovës. Aty nuk jepen detaje për orën e mbledhjes së Këshillit, por thuhet se pas takimit do të ketë konferencë për media.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritet që në orën 12:30 të dalin konferencë.
VIDEO: Rrugët në veri vazhdojnë të jenë të bllokuara
Lista Serbe bën thirrje për vetëpërmbajtje
Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës për vetëpërmbajtje dhe ka kërkuar nga ta që të lejojnë KFOR-in dhe EULEX-in që të lëvizin në këtë pjesë të vendit.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që të lejojnë KFOR-in dhe EULEX-in të lëvizin sepse prania e tyre është në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare të miratuara më parë”, thuhet në njoftimin për media.
Por ata kanë kërkuar nga qytetarët që të parandalohet hyrja e Policisë së Kosovës atje.
Lexoni lajmin e plotë në këtë link.