QUINT mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri - Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - të banuara me shumicë serbe.
Presidentja e Kosovës ka bërë të ditur të shtunën për shtyrje të zgjedhjeve - që ishin planifikuar për 18 dhjetor - për në prill në vitit të ardhshëm.
“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në njoftimin e QUINT-it.
Në QUINT bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
Situata në Rudarë
Sipas informacioneve nga tereni, rruga në Rudarë të Zveçanit – komunë e banuar më shumicë serbe – vazhdon të jetë e bllokuar, ndonëse ka më pak njerëz se disa orë më parë.
Në hapësirën ajrore të saj është parë duke fluturuar helikopteri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Policia mbyll pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak
Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Policia e ka konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë, pasi serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.
Pas mbylljes së pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, të hapura mesin edhe katër pika tjera që lidhin Kosovën dhe Serbinë.