Bllokada në Rudarë
Sveçla: Pantiq akuzohet për kryerjen e veprave terroriste
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka ndaluar të shtunën ish-pjesëtarin e Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq në pikën kufitare në Jarinjë.
“I ndaluari, sipas dëshmive të Policisë së Kosovës, ka organizuar sulmin terrorist në zyret e KQZ-së në veri të vendit me ç'rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë”, shkroi ai në Facebook.
Sveçla tha se Pantiq akuzohet për “kryerjen e veprave terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues”.
Ai tha se grupe ekstremiste, që kanë për qëllim parandalimin e vendosjes së drejtësisë, janë organizuar në bllokim të disa rrugëve dhe ngritje të barrikadave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Ku janë bllokuar rrugët?
Në Rudarë të Zveçanit, serbët lokalë janë mbledhur në shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq nga radhët e komunitetit serb.
Bllokada të rrugëve raportohet se ka edhe në Soqanicë të Leposaviqit dhe Zubin Potok - të dyja komuna me shumicë serbe.
Sirenat, ndërkaq, janë dëgjuar në Mitrovicë të Veriut.
Çitaku: Situata në veri nuk është diçka e re
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se situata e krijuar në komunat në veri të Kosovës “nuk është diçka e re”.
“Kemi pasur situata të tilla edhe më herët. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të koordinohen ngushtë me NATO-n dhe mos të lejojnë që veriu i vendit të merret peng nga bandat kriminale”, tha Çitaku.
Ajo i bëri këto deklarata pas vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shtyrje të zgjedhjeve - që ishin planifikuar për 18 dhjetor - për në prill në vitit të ardhshëm.